Lajme
DOKUMENT | Punësimet në shëndetësinë e Shtimes, rehatohen edhe zyrtarisht njerëzit e afërt me pushtetin e “Çlirimtarit”
Demokracia
16:44 | 20 Nëntor 2023

Share:

Komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, po punëson njerëz të afërt me pushtetin dhe koalicionin qeverisës në të gjithë sektorët. Së fundmi, kështu ka ndodhur edhe në atë të shëndetësisë, shkruan Demokracia.com.

Pas anulimit të katër konkurseve në muajin korrik për rekrutimin e punëtorëve në Sektorin e Shëndetësisë, konkretisht në QKMF për katër pozita për mjekë të përgjithshëm, katër pozita për infermierë, dy pozita për teknikë të laboratorit dhe një pozitë ekonomist, tani janë rishpallur dhe janë në fazën e fundit të procedurave të rekrutimit. Për pozitat e katër infermierëve të përgjithshëm janë publikuar emrat përfundimtarë të fituesve. Bazuar në emrat që janë publikuar, vërtetohet raportimi i para dy javëve i Demokracia.com se në këtë konkurs ‘janë bërë gati të rehatohen njerëzit e lidhur me pushtetin’.

Tash pas intervistës edhe më gojë, janë përzgjedhura kandidatët:

Shukrije Hysenaj

Suzana Qorolli

Dashurie Rashiti

Ndërsa, infermiere me shkollë të mesme është përzgjedhur Qëndresa Gashi.

Demokracia.com ditë më parë kishte raportuar se Shukrije Hysenaj ka fituar vendin e parë me shkrim më gjithsej 86 pikë. Kjo infermiere ishte e angazhuar në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime përmes projektit për shërbime shëndetësore shtëpiake dhe ambulantore, që komuna ka me organizatën Caritas Kosova.

Ndërsa, për Suzana Qorrolli, Demokracia.com kishte gjetur se është një mikeshë e ish-drejtorit Haxhiu, i cili herën e parë e kishte anuluar vetë konkursin.

Dashurije Rushiti, në konkursin e mëparshëm ishte në krye të listës dhe burimet e Demokracia.com kanë bërë të ditur se ka lidhje familjare me Fikrije Xhelilin, e cila ishte ish-kryeinfermiere dhe tani është koordinatore në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime.

Ndërkaq, për pozitën e infermieres me shkollim të mesëm, Qëndresa Gashi, e cila vjen nga fshati Godanc dhe është fqinje dhe përkrahëse e kryetarit Qemajl Aliu. Aktualisht, ajo është e angazhuar në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime përmes projektit me organizatën Caritas Kosova, menjëherë pas ardhjes së Qemajl Aliut në krye të komunës.

Në konkursin për infermierë kishin aplikuar 42 infermierë nga Shtimja.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime kishte shpallur konkurs për të punësuar 4 infermierë me diplomë “bachelor”. Pas përfundimit të procedurave rekrutuese në muajin korrik, ish-drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS), Isa Haxhiu, kishte vendosur ta anulonte konkursin. Ai argumentoi se anulimi kishte ndodhur pasi procedurat nuk ishin ndjekur sipas ligjit. Megjithatë, ka dyshime se vendimi për anulimin e konkursit ishte më shumë i motivuar nga një mospajtim personal mes Isa Haxhiut dhe drejtoreshës Pranvera Bajrami. Drejtoresha Pranvera Bajrami kishte pranuar kunatën e saj në punë, por nuk kishte pranuar mikeshën e drejtorit Haxhiu në këtë pozitë, shkruan Demokracia.com.

Tre muaj pas konkursit të rishpallur, Isa Haxhiu kishte dhënë dorëheqje nga pozicioni i drejtorit të Drejtorisë, ndërsa drejtoresha Pranvera Bajrami kishte njoftuar se ka bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, duket se ndikimi i tyre në procesin e punësimeve në këtë sektor po vazhdon të jetë i madh.

Demokracia.com ka parë se konkursi i rishpallur për rekrutimin e katër infermiereve në QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka ndryshuar nga ai i mëparshmi. Në konkursin e mëparshëm ishin shpallur katër pozita për infermierë me shkollim të nivelit bachelor, ndërsa tani në konkursin e rishpallur kërkoheshin tri pozita për infermierë me shkollim të nivelit bachelor dhe një pozitë për infermier me shkollim të mesëm. /Demokracia.com/

Të ngjashme