Lajme
DOKUMENTE | Punësimet e “kurdisura” në shëndetësinë e Shtimes, rehatohen militantë të LVV-së
Demokracia
08:58 | 09 Nëntor 2023

Share:

Komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, është duke e ”kapur” me të madhe edhe shëndetësinë komunale. Njerëzit e afërt më pushtetin janë bërë gati të rehatohen në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF). Demokracia.com sjell detaje …

Dyshimet për punësimet nepotiste janë shtuar, veçanërisht pas anulimit të disa konkurseve për rekrutimin e personelit shëndetësor në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF), në muajin korrik.

Pas anulimit të katër konkurseve në muajin korrik për rekrutimin e punëtorëve në Sektorin e Shëndetësisë, konkretisht në QKMF për katër pozita për mjekë të përgjithshëm, katër pozita për infermierë, dy pozita për teknikë të laboratorit dhe një pozitë ekonomist, tani janë rishpallur dhe janë në fazën e fundit të procedurave të rekrutimit. Bazuar nga emrat në garë, në të gjitha këto pozita janë të bërë gati të punësohen njerëz të afërt më pushtetit e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, shkruan Demokracia.com.

Ish-asamblisti i LVV-së rehatohet si ekonomist

Në konkursin e rishpallur për pozicionin e ekonomistit në QKMF në Shtime, procedura e rekrutimit ka përfunduar. Bazuar në rezultatin e konkursit, në këtë pozitë është pranuar Herolind Selmani, i cili deri javë më parë punonte në kompaninë “Pastertia” në Shtime si ekonomist, saktësisht si zyrtar për klientë, pozitë që e ka mbajtur nga viti 2016 deri më tani.

Herolind Selmani ka qenë asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime gjatë viteve 2017-2021. Vetëm para pak ditëve është shfaqur në një fotografi, të cilën e ka postuar në rrjetin social Facebook krahas kryetarit të komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

 

Ndonëse ai ishte vetëm për një mandat asamblist, në zgjedhjet e fundit lokale, asambliste nga radhët e VV-së ishte emëruar edhe motra e tij, Heroina Selmani, por këtë pozitë e ka mbajtur vetëm pak muaj, pasi ka dhënë dorëheqje në vitin e kaluar. Megjithatë, emri i saj akoma nuk është hequr nga lista e ueb-faqës së komunës.

Demokracia.com në vitin e kaluar e kishte publikuar një artikull se si Jetmire Selmani, kunata e asamblistes së LVV-së, Heroina Selmani, ishte punësuar edukatore në shkollën fillore “Bajram Curri” në fshatin Petrovë.

Kunata e ish-drejtoreshës së QKMF-së ia mësynë këtij institucioni

Dyshime të forta për favorizimin e familjarëve të drejtorëve të Sektorit të Shëndetësisë, siç janë ish-drejtori i Shëndetësisë, Isa Haxhiu, si dhe të ish-drejtoreshës së QKMF në Shtime, Pranvera Bajrami, shtohen kur shihen emrat e kandidatëve. Shtimi i dyshimeve është lidhur me rekrutimet e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime kishte shpallur konkurs për të punësuar 4 infermierë me shkallë të diplomës “bachelor”. Pas përfundimit të procedurave rekrutuese në muajin korrik, ish-drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS), Isa Haxhiu, vendosi ta anulonte konkursin. Ai argumentoi se anulimi kishte ndodhur pasi procedurat nuk ishin ndjekur sipas ligjit. Megjithatë, ka dyshime se vendimi për anulimin e konkursit ishte më shumë i motivuar nga një mospajtim personal mes Isa Haxhiut dhe drejtoreshës Pranvera Bajrami. Drejtoresha Pranvera Bajrami kishte pranuar kunatën e saj në punë, por nuk kishte pranuar mikeshën e drejtorit Haxhiu në këtë pozitë, shkruan Demokracia.com.

Tre muaj pas konkursit të rishpallur, Isa Haxhiu kishte dhënë dorëheqje nga pozicioni i drejtorit të Drejtorisë, ndërsa drejtoresha Pranvera Bajrami ka njoftuar se ka bërë të njëjtën gjë. Megjithatë, duket se ndikimi i tyre në procesin e punësimeve në këtë sektor po vazhdon të jetë i madh.

Demokracia.com ka parë se konkursi i rishpallur për rekrutimin e katër infermiereve në QKMF “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime ka ndryshuar nga ai i mëparshmi. Në konkursin e mëparshëm ishin shpallur katër pozita për infermierë me shkollim të nivelit bachelor, ndërsa tani në konkursin e rishpallur kërkohen tri pozita për infermierë me shkollim të nivelit bachelor dhe një pozitë për infermier me shkollim të mesëm.

Pas testit me shkrim të mbajtur më 23 tetor 2023 dhe listës së publikuar më 31 tetor 2023, është bërë e ditur se emrat e kandidatëve janë të njëjtë me ata që janë përfshirë në konkursin e mëparshëm të anuluar nga ish-drejtori Haxhiu.

Ky zhvillim sjellë dyshime rreth procesit të përzgjedhjes dhe cilësisë së tij.

Shukrije Hysenaj ka fituar vendin e parë me 86 pikë. Kjo infermiere është e angazhuar në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime përmes projektit për shërbime shëndetësore shtëpiake dhe ambulantore, që komuna ka me organizatën Caritas Kosova.

Suzana Qorrolli me 84 pikë. Demokracia.com ka gjetur se kjo është një mikeshë e ish-drejtorit Haxhiu, i cili herën e parë e kishte anuluar vetë konkursin.

Dashurije Rushiti me 80 pikë. Në konkursin e mëparshëm ajo ishte në krye të listës dhe burimet e Demokracia.com kanë bërë të ditur se ka lidhje familjare me Fikrije Xhelilin, e cila ishte ish-kryeinfermiere dhe tani është koordinatore në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime.

Ndërkaq, për pozitën e infermieres me shkollim të mesëm, Qëndresa Gashi është renditur e para me 69 pikë. Ajo vjen nga fshati Godanc dhe është fqinje dhe përkrahëse e kryetarit Qemajl Aliu. Aktualisht, ajo është e angazhuar në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar “Dr. Vezir Bajrami” në Shtime përmes projektit me organizatën Caritas Kosova, menjëherë pas ardhjes së Qemajl Aliut në krye të komunës.

Në konkursin për infermierë kanë aplikuar 42 infermierë nga Shtimja.

Në konkursin e rishpallur për katër pozita mjekë shihet se Dr. Qendrim Bajrami është përsëri në listën e kandidatëve të përzgjedhur dhe ai është vëllai i Drejtoreshës së Qendrës së Kujdesit Mjekësor Familjar, Dr. Pranvera Bajrami. Gjithashtu, ka informacione se për ta kamufluar këtë proces, drejtoresha Bajrami është deklaruar se ka dhënë dorëheqje në fillim të tetorit, por megjithatë ajo figuron ende në listën e pagave dhe ka marrë pagesa si drejtoreshë edhe në muajin nëntor, ndonëse thuhet se nuk ka punuar fare.

Bazuar në rezultatin e konkursit të datës 7 nëntor, Dr. Qëndrim Bajrami e ka kaluar testin më shkrim më 75 pikë dhe është ftuar për intervistë më gojë.

Demokracia.com ka publikuar vazhdimisht lajme nga Komuna e Shtimes lidhur me punësimet masive të familjarëve dhe militantëve të Vetëvendosjes në administratën komunale në Shtime. /Demokracia.com/

Të ngjashme