Lajme
DOKUMENT | Peci ia shkëput AAK-së kontratën për Selinë Qendrore, deri më 20 shtator u kërkon ta lëshojnë objektin
Demokracia
14:20 | 18 Mars 2024

Share:

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e ka autorizuar Sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qirasë, ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Në dokumentin që e ka parë Demokracia.com, shihet se AAK-ja ka kohë që të lëshojë objektin më së largu deri më 20 shtator 2024.

“Kërkesa për shkëputjen e kontratës bazë bëhet në përputhje me nenin 7 të Kontratës bazë, citohet: “Pala e cila dëshiron shkëputjen kontratës është obliguar që në afat prej 180 ditësh, paraprakisht të paraqes kërkesën në formë të shkruar për shkëputjen e kësaj kontrate. Andaj, Qiradhënësi përkatësisht Ministria përgjegjëse për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural kërkon nga Qiramarrësi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që objektin ta lirojë në afat prej 180 ditësh nga dita e njoftimit të kësaj shkrese, përkatësisht nga 19 Marsi 2024 deri më datën 20 Shtator 2024. Lirimi i objektit kërkohet për shkak se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural këtë objekt do ta shfrytëzojë për nevoja të saja publike në përputhje me fushëveprimtarinë e saj që e ushtron sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në një pjesë të kërkesës për shkëputje të kontratës.

Ditë më parë, Peci ka publikuar disa fotografi nga objekti i AAK-së në Ulpianë të Prishtinës.

“Sot vizitova hapësirat e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku kemi rikthyer mbi 600 metra katror në shërbim të institucionit. Së shpejti do të fillojmë me procesin e renovimit. Mbetem optimist se instancat e sistemit të drejtësisë do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin dhe njëherit të mundësohet zbatimi i vendimit tim si Ministër i marrë me datë 22.08.2023″, shkroi Peci në njoftimin e tij. /Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme