Lajme
DOKUMENT| Ngrihen dyshime, Kuvendi e Qeveria me dallavere ia dhanë kompanisë “Kosmonte Foods” statusin e Investitorit Strategjik
Demokracia
15:08 | 05 Gusht 2022

Share:

Kompania “Kosmonte Foods” është biznesi më i privilegjuar në Kosovë, që prej kur shteti drejtohet nga Albin Kurti. Ky biznes tash e disa muaj ka edhe statusin si Investitor Strategjik, pasi kështu ka vendosur Qeveria dhe Kuvendi. Por, vendimet e nënshkruara nga këto dy institucione për “Kosmonte Foods” kanë mospërputhje dhe rrisin dyshimet për dallavere. 

Gjashtëdhjetë e shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës më 8 shkurt 2022 i kanë ngritur duart, duke votuar pro një vendim të Qeverisë Kurti për t’ia dhënë statusin Investitor Strategjik kompanisë “Kosmonte Foods”.

Ky propozim-vendim së pari ishte miratuar në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë, që kishte ardhur si rekomandim nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike dhe i njëjti ishte dërguar në Kuvend për votim nga deputetët, shkruan Demokracia.com.

Kurse, më 29 shtator të vitit 2021, ministrja Rozeta Hajdari dhe kryeministri Albin Kurti patën njoftuar se një kompani tjetër vendore kishte fituar statusin e Investitorit Strategjik.

Sipas njoftimit të atëhershëm të ministrisë, kompania më e re me këtë status ishte “Kosmonte Foods” dhe vlera e investimit të saj në Kosovë do të arrijë deri në 11 milionë euro.

Deri këtu çdo gjë mund të duket në rregull, por parregullsi dhe dyshime dalin kur shikohen vendimet që kanë nënshkrimin e kryeministrit dhe kryeparlamentarit.

Në vendimet e nënshkruara nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, të cilat i ka siguruar Demokracia.com, shihen mospërputhje në dokumentet e arkivuara (tek numrat rendor dhe protokollit).

“Miratohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, me numër 12/36 të datës 22/09/2021, më të cilin është miratuar rekomandimi i Komisionit Ndërministror të Investimet Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, thuhet në vendimin e datës 08/02/2022, që është nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit, i protokolluar më 11/02/2022, me numër protokolli 2236-4/2021).

 

 

Mirëpo, kur shikohet vendimi i Qeverisë me numër 12/36 të datës 22/09/2021, nënshkruar nga kryeministri Kurti, kuptohet që vendimi flet për problemet e shëndetësisë, të përmbledhura në 4 pika.

“Aprovohet kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfaere, prej datës 1 nëntor deri më 31 dhjetor 2021. Numri i specializantëve me vetëfinancim është 578 dhe përkrahja financiare për muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021 është në vlerë prej 730.000.00 euro. Obligohet Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe institucione tjera kompetente, të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij Vendimi. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Albin Kurti, përcjell Demokracia.com.

 

Duke u bazuar në këto vendime rezulton se Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe deputetët do të duhej të votonin vendimin numër 14/36 të datës 22/09/2021, vendim që është i nënshkruar nga kryeministri Kurti dhe mban 9 pikat e dhënies se statusit të Investitorit Strategjik (Shih vendimin origjinal).

 

Dyshimi mbi krejt këtë rast është se cili është vendimi i ligjshëm? Çka ka votuar Kuvendi? Çka ndodhet në dosjen e investitorit strategjik dhe çka ndodhet në arkivin e Qeverisë dhe atë të Kuvendit? A duhet të votojë edhe njëherë Kuvendi për investitorin strategjik?

Për krejt këto dyshime dhe pikëpyetje, Demokracia.com ka kërkuar sqarim nga Kuvendi i Kosovës dhe sekretari i këtij institucioni, por deri më tash nuk kanë thënë asnjë fjalë.

Dhënien e statusit Investitor Strategjik për “Kosmonte Foods” e kanë kundërshtuar deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ata nuk u shprehën parimisht kundër shpalljes së “Kosmonte Foods” investitor strategjik, por kritikuan procedurat e ndjekura nga Qeveria mbi propozim-vendimin.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pati thënë se kompania me bazë në Fushë Kosovë ka pasur një kontest ligjor me Ministrinë e Bujqësisë.

Por, sipas tij, Qeveria është tërhequr nga një padi civile që kishte ushtruar ndaj “Kosmonte Foods” lidhur me uzurpimin e një prone shoqërore.

Tahiri, po ashtu, kishte thënë se “kjo kompani nuk i plotëson kushtet” për shpallje si investitor strategjik investues.

Kritika për propozim-vendimin e Qeverisë kishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, duke thënë se kompania pa i përmbushur kriteret po e merrte këtë status.

Ndaj kompanisë në fjalë “Kosmonte Foods” Sh.P.K., Agjencia e Pyjeve kishte ngritur padi për mosrespektim të kontratës.

Toka që i është dhënë në shfrytëzim kompanisë “Kosmonte Foods” është pronë e Agjencisë së Pyjeve që ndodhet në Fushë Kosovë dhe ajo ishte shfrytëzuar edhe më herët nga kompania.

“Kosmonte Foods” është një kompani private me bazë në Fushë Kosovë. Ajo është në pronësi të sipërmarrësit Lulzim Begaj.

Sipas të dhënave publike në ARBK, “Kosmonte Foods” Sh.P.K., merret me tregtinë e produkteve të qumështit, vezëve, vajrave dhe yndyrnave të gatimit.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një deklarim për media pati thënë se investitori strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, kompania “Kosmonte Foods” do të zbatojë dy projekte. Projekti i parë i tyre, sipas saj, do të jetë fabrika për përpunimin e pemëve dhe perimeve që përfshijnë zgjerimin e kapaciteteve për ruajtjen dhe prodhimin në sipërfaqe prej 16 mijë e 200 metra katror.

“Projekti i dytë është kompleksi si fabrikë për përpunimin e mishit të shpezëve, me sipërfaqe rreth 12 mijë metra katrorë. Vlera e investimeve të zotuara arrin në 11 milionë e 143 mijë euro dhe priten të punësohen rreth 300 persona”, ishte shprehur ministrja Rozeta Hajdari. /Demokracia.com/

Të ngjashme