Lajme
DOKUMENT | “Molerisja” e ministrisë suksesi më i madh i Rozeta Hajdarit, planifikimet i realizoi vetëm 25 për qind
Demokracia
10:10 | 18 Shkurt 2022

Share:

Viti 2021 për Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mund të konsiderohet dështim në aspektin e realizimit të projekteve kapitale.

Nga 2 milionë e 820 mijë euro që i kishte të buxhetuara për t’i kryer punët në ministri, ajo vetëm një projekt e ka realizuar në përqindjen më të madhe dhe ai është “molerisja” e ministrisë, shkruan Demokracia.com.

Rozeta Hajdari për një vit që e drejton këtë dikaster, asnjë projekt kapital nuk e ka kryer në tërësi.

Në tabelën e projekteve kapitale që e ka siguruar Demokracia.com, Hajdari në shumë dikastere i ka lënë punët në gjysmë dhe në disa as që i ka nisur, rrjedhimisht parat i kanë tepruar.

Për rritjen e performancës së inspektoratit, Hajdari ka pasur në dispozicion 1 milion e 500 mijë euro për dy projekte për vitin 2021, por që asnjë punë nuk është kryer.

“Krijimi i sistemit E-inspektime dhe menaxhimi i të dhënave të inspektimeve dhe softueri për nxjerrjen e të dhënave”, ishte projekti i parë për inspektoratin e ministrisë, që ishin destinuar 1 milion euro. Puna as që ka nisur, paret kanë tepruar.

Projekti i dytë në inspektorat ishte në vlerë prej 500 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

“Krijimi i ndërveprimit të inspektimeve dhe avancimi i bazave të të dhënave që ndërlidhen me inspektimet në ministritë dhe agjencitë relevante”, është projekti tjetër që i ka dështuar Hajdarit dhe 500 mijë euro i kanë tepruar për shkak të keqmenaxhimit.

1 milion e 230 mijë euro, Hajdari kishte paraparë për ndërtimin e parqeve të bizneseve dhe inkubatorëve, por nga këto në punë i ka realizuar vetëm rreth 709 mijë ose 57.64 për qind.

Edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve kishte 50 mijë euro në dispozicion për të punuar, por që ka dështuar ta realizojë planifikimin buxhetor. Realizimi për projektin “Softueri i programit të ARBK-së” ka mbetur në pikën zero.

Megjithatë, Hajdari ka realizuar një projekt “madhor” në këtë ministri, duke i shpenzuar 10 mijë euro në molerisjen e objektit. Edhe këtu, Hajdarit i kanë tepruar rreth 10 mijë euro të tjera, sepse nuk e ka lyer krejt ministrinë. Molerisja e objektit është projekti që në përqindje është më i realizuari, me 65.50 për qind.

Gjithashtu, 19 mijë e 250 euro i kishte të buxhetuara për “Zhvillimin e fushave të reja të Metrologjisë -pajisje me etalon dhe pajisje tjera”, ku edhe këtu i ka realizuar vetëm 9 mijë e 250 euro apo 48.05 për qind.

Realizimi i planifikimeve buxhetore në total në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 2 milionë e 820 mijë euro i ka realizuar vetëm 729 mijë e 208 mijë euro apo 25.89 për qind. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme