Lajme
DOKUMENT| Ministrja me mesataren 6.46 i vlerëson mësimdhënësit, parashihen revokime të licencave të tyre
Demokracia
10:00 | 20 Maj 2023

Share:

Ministria e Arsimit është duke e përgatitur udhëzimin administrativ për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.

Ministria e Arbërie Nagavcit, e cila kishte mesataren 6.46 në studimet master, po e përgatit vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, i cili do të zbatohet në procesin e licensimit të mësimdhënësve.

Kështu, kjo ministri po synon që përmes një udhëzimi ta bëjë edhe vlerësimin individual të mësimdhënësve për nivelin e përmbushjes së standardeve të performancës për licencim, rilicencim apo avancim në karrierë, shkruan Demokracia.com.

Për të marrë lejen e punës, mësimdhënësit do të kalojnë nëpër shumë filtra.

Me performancë nënkuptohet tërësia e punës së mësimdhënësve e demonstruar përmes aktiviteteve mësimore.

Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve bazohet në fushat e mësimdhënies, standardet dhe treguesit e performancës të përcaktuara me Kornizën strategjike për zhvillimin e mësimdhënies në Kosovë.

Vlerësimi, sipas këtij udhëzimi, do të bëhet në katër faza: Vlerësimi gjatë fazës së hyrjes në profesion; Vlerësimi gjatë fazës së mësimdhënies me licencë të karrierës; Vlerësimi gjatë fazës së mësimdhënies me licencë të avancuar; Vlerësimi për fazën e mësimdhënies me licencë të përhershme.

Sipas këtij udhëzimi, mësimdhënësit për t’u licencuar do të kenë vlerësim të jashtëm dhe të brendshëm.

Instrumentet për vlerësim të brendshëm janë: Formulari për vetëvlerësim nga mësimdhënsi, formulari për vlerësim nga kolegët, formulari për vlerësim nga drejtori i shkollës dhe formulari për vlerësim nga nxënësit.

Por, kur të vlerësohet performanca, mësimdhënësit mund të kalojnë në nivel më të ulët dhe atyre mund t’u revokohet licenca.

“Kalimi në nivel më të ulët të licencës, nga licenca e avancuar në licencë të karrierës, apo nga licenca e përhershme në licencë të avancuar, respektivisht licencë të karrierës, bëhet në rastet kur mësimdhënësi nuk demonstron plotësimin e kërkesave minimale të performancës për licencën e caktuar”, thuhet në udhëzimin e hartuar nga MASHTI, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, mësimdhënësi me licencë të karrierës, në rast se me vlerësim të performancës nuk i plotëson kërkesat minimale për përtërirje të licencës, rekomandohet që brenda një viti të ndjekë programe shtesë të aftësimit.

“Me përfundimin e programeve shtesë të aftësimit, të rekomanduara në pikën 2 të këtij neni, mësimdhënësi i nënshtrohet rivlerësimit të performancës. Nëse edhe në këtë rast nuk plotësohen kërkesat minimale të performancës, mësimdhënësit i merret licenca e mësimdhënies”, thuhet në draft-udhëzimin administrativ të MASHTI-it.

Procedurën për kthim në nivel më të ulët dhe revokim të licencës e mbikëqyr Inspektorati i Arsimit.

Nga Sindikata e Arsimit më herët janë deklaruar se do ta mbështesin këtë proces, nëse nuk testohen njohuritë e mësimdhënësve, por vetëm performanca e tyre. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

SKANDALOZE| Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri 10 vjet që t’i kryejë studimet master me notë mesatare 6.46

Lexo edhe: 

Hahaha | Ministrja Nagavci me mesataren e masterit 6.46 kërcënon mësimdhënësit me vlerësim të performancës

 

Të ngjashme