Lajme
DOKUMENT | Ministritë e Kurtit po angazhojnë persona kundërligjshëm përmes procedurave të tenderit
Demokracia
15:39 | 18 Qershor 2024

Share:

Ministritë dhe institucionet publike të Kosovës po përdorin një metodë të re për të punësuar persona të afërt me ta ose me partinë në pushtet përmes procedurave të tenderit. Ky fenomen është evidentuar në raportin e fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR), shkruan Demokracia.com.

ZKA ka zbuluar se gjatë vitit 2023, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka punësuar tetë konsulentë përmes procedurave të prokurimit, duke lidhur kontrata me vlerë totale prej 48,540 euro për periudhën njëvjeçare. Njëra nga këto kontrata është shkëputur me kërkesë të konsulentit. Konsulentët ishin angazhuar për nevoja të MZHR-së me marrëveshje për shërbime të veçanta, megjithëse pozitat e mbuluara nga ta janë pozita të rregullta pune që do të duhej të plotësoheshin përmes procedurave të rekrutimit, sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas ZKA-së, procedurat e duhura të rekrutimit nuk janë ndjekur për shkak të kufizimeve në shpalljen e konkurseve të jashtme gjatë vitit 2023 dhe pamjaftueshmërisë së personelit të angazhuar për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e ministrisë. Për këtë çështje, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ka rritur numrin e stafit për MZHR me gjashtë pozita të reja për vitin 2024.

Në raportin e saj, ZKA thekson se punësimi i personelit përmes procedurave të prokurimit rrezikon monitorimin e projekteve sipas kushteve të parashikuara në kontratë. Përveç Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, edhe institucionet e tjera publike të Kosovës janë duke kontraktuar persona fizikë përmes procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik. Kjo praktikë është shpeshtuar muajve të fundit, veçanërisht nga ministritë që po kërkojnë të punësojnë ekspertë dhe konsulentë.

Duke pasur parasysh rëndësinë dhe specifikat e implementimit të projekteve, mbulimi i pozitave të rregullta të punës përmes procedurave të prokurimit, sipas auditorit, rrezikon që monitorimi i tyre të mos bëhet sipas kushteve të parapara në kontratë.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se edhe institucionet e tjera publike të Kosovës janë duke kontraktuar persona fizikë nëpërmjet procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik.

Qeveria e Kurtit i mbush institucionet kundërligjshëm edhe me konsulentë

 

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka reaguar ndaj këtyre praktikave të punësimit, duke ngritur shqetësime për procedurat e ndjekura nga institucionet publike. Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe transparencën e punësimeve në sektorin publik të Kosovës. /Demokracia.com/

Punësimet me tender, më në fund reagon KRPP, thotë se viteve të fundit, posaçërisht 2023/2024 disa institucione e shkelen ligjin

Të ngjashme