Lajme
Qeveria e Kurtit i mbush institucionet kundërligjshëm edhe me konsulentë
Demokracia
14:51 | 08 Dhjetor 2023

Share:

Institucionet publike të Kosovës janë duke kontraktuar persona fizikë nëpërmjet procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik, shkruan Demokracia.com.

Muajve të fundit është shpeshtuar kërkesa e institucioneve për të punësuar njerëz. Këtë po e bëjnë kryesisht ministritë. Punësimet po bëhen në emër të kërkesës për ekspertë apo konsultë. Demokracia.com ka parë se punësimet e tilla nëpërmjet procedurave të prokurimet publik bien ndesh me këtë ligj. Madje, ato po aplikohen edhe për të rehatuar militantët partiakë.

Për të ilustruar shkeljet, Demokracia.com do të ndalet vetëm tek punësimet që janë publikuar sot nga Ministria e Bujqësisë.

”Shërbime Konsulentë nëpërmjet marrëveshjeve shërbime të veçanta për nevoja të AZHB-së”. Kështu quhet tenderi i publikuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për të cilin janë rekomanduar për kontratë 9 persona. Buxheti për këto punësime kap një shifër prej rreth 50 mijë euro për një vit dhe të paktën dy nga të rekomanduarit për kontratë kanë pasur marrëdhënie kontraktuale edhe më herët më ministrinë.

Në këtë thirrje tenderuese janë rekomanduar për kontratë për “Konsulent për autorizim të pagesave – 2 Pozita”, Isak Pllana, me shumë prej 5,374.68 euro dhe Qëndresa Salihu, 6,120.00 euro.

“Konsulent për përzgjedhjen dhe aprovimin e projekteve – 1 pozitë”, ku është rekomanduar Gzime Mehmeti, më çmim 6,000.00 euro.

Konsulent ligjor – 3 pozitë, ku janë rekomanduar Enisa Bajraliu, 6,228.00 euro, Egzon Tupella me 6,282.00 euro dhe Diana Blakqori me çmim 6,228.00 euro.

“Konsulent Inspektor (kontroller) – 5 pozita, 3 Leposavic, 1 – Gjilan dhe 1 Gjakovë”, është rekomanduar Natyrë Sahiti, 6,222.00 euro.

Këtu është rekomanduar edhe Lirim Bicurri, 6,360.00 euro. Ky ka qenë ish kandidat për asamblist në zgjedhjet e fundit lokale në Gjakovë nga radhët e VV-së.

Po ashtu, tek Konsulent Inspektor (kontroller) është punësuar Irfan Sinani, me 6,360.00 euro.

Të gjitha këto punësime janë bërë duke u thirrur në Ligjin e Porkurimit Publik dhe në legjislacion dytësor mbështetës të këtij ligji.

Cilat punësime i lejon ligji në këtë rast?

Legjislacioni sekondar i LPP-së, konkretisht Rregullorja nr.001/2022 për prokurimin publik i ka paraparë procedurat e prokurimit për shërbimet e veçanta, konkretisht neni 57 i rregullores.

Pra, qëllimi i këtij neni është që në kuadër të kësaj rregullore të definohet hapat të cilët duhet të ndiqen për udhëheqjen e një procedurë për sigurim të Konsulentëve / Kontraktorëve Individualë për Shërbime të veçanta.

Paragrafët e këtij neni aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta, të cilët nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtaret Publikë nr. 06-L-114.

“57.3 Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por të cilat shërbime nuk mund t’i plotësojë me stafin që ka. 57.4 Konsulenti / Kontraktori individual është një specialist në një fushë specifike, i angazhuar nga Autoriteti Kontraktues në rolin e një këshilluesi. 57.5 Për shërbime konsulente individuale mund të ofertojnë vetëm personat fizik nga të cilët nuk kërkohet që të kenë biznes të regjistruar, por personi fizik duhet të jetë i regjistruar në sistem të prokurimit elektronik si OE-Person fizik”, thuhet vetëm në një pjesë të këtij neni, përcjell Demokracia.com.

Nëse shikohen titujt e disa prej emërimeve të ministrisë dhe paragrafët e këtij neni janë në kundërshti më njëri-tjetrin.

Psh. “Konsulent për autorizim te pagesave – 2 Pozita”, apo “Konsulent Inspektor (kontroller) – 5 pozita, 3 Leposavic, 1 – Gjilan dhe 1 Gjakove”, janë pozita që duhet të mbulohen me Ligjin për Shërbimin Civil, me kontrata për shërbime të veçanta (kontratë mbi vepër), ose më kontrata të rregullta – të karrierës.

Kjo për shkak se asnjëra prej këtyre pozitave nuk ka të bëjë, ashtu siç thotë neni “57.4 Konsulenti / Kontraktori individual është një specialist në një fushë specifike, i angazhuar nga Autoriteti Kontraktues në rolin e një këshilluesi”. Pra, këto pozita kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me ekzekutim të punëve dhe jo më këshillime apo ekspertizë.

Pastaj, edhe kërkesa për “Konsulent ligjor – 3 pozitë”, është në kundërshtim më këtë nen. Kjo për shkak se në këtë rast kjo procedurë është dashur të bëhet e veçantë, bazuar në nenin Neni 56 “Shërbimet e Konsulencës”. Në këtë rast është dashur që të procedohet me operatorë ekonomikë të regjistruar në ARBK për shërbime ligjore. Pastaj, këtu do të mund të angazhohej një apo më shumë ekspertë të një kompanie private. Kjo punë kryhet edhe nga zyrtarët komunalë dhe në mungesë të tyre, institucionet mund të rrisin numrin më konkurse të rregullta.

Vetëm pozita “Konsulent për përzgjedhjen dhe aprovimin e projekteve – 1 pozite”, është në harmoni më Ligjin e Prokurimit Publik.

Këso lloje të shkeljeve, duke sistemuar individë në emër të ekspertizave ose konsulencave nëpër ministri institucionet po bëjnë jashtëzakonisht shumë, kryesisht në muajit e fundit, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – KRPP që mbikëqyr ligjin, nuk ka reaguar në asnjë rast.

Punësime me tender ka publikuar gjatë ditës së djeshme edhe Ministria e Tregtisë, Ministria e Financave, ajo e Kulturës, e Punëve të Jashtme, e Ekonomisë. Madje, kjo e fundit në një rast e ka pranuar edhe vetë se nuk po mundet të realizojë procedurat nëpërmjet Shërbimit Civil, andaj i është dashur nëpërmjet prokurimit. Bëhet fjalë për “Angazhim të një Eksperti për Multimedia Ritenderim II”, ku nuk do të kryej kurrfarë ekspertize, por përshkrimin e vendit të punës e ka “në mungesë të kapaciteteve me përmasat multimediale ku nevojitet montimi/editimi i video/fotografive dhe materialeve promovuese lidhur me dizajnimin e masave për subvencionim të pajisjeve efiçiente me ndihmë të pakos 75 milionëshe të Bashkimit Evropian, është shfaqur nevoja për angazhim të një Ekspertit për Multimedia”.

Divizioni për Komunikim me Publikun momentalisht funksionon me kapacitete të kufizuara ku ka mungesë të stafit. Për shkak të volumit të madh të punëve ditore për realizimin e planit të punës dhe angazhimeve shtesë në fushata mediale të ministrisë sidomos rreth subvencionimit të pajisjeve shtëpiake efiçiente dhe sistemit diellor për ngrohjen e ujit, shfaqet nevoja për angazhim të stafit shtesë sidomos në fushën e multimedias”, ka shkruar ministria në arsyetim.

Lidhur më këto lloje të punësimeve në të kaluarën ka reaguar edhe Zyra Kombëtare e Auditmit – ZKA, duke i cilësuar si të jashtëligjshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme