Lajme
DOKUMENT | Ministria e Hajrulla Çekut jep kontratë njëburimore 1.3 milionë euro për ndërtimin e sistemit të ri në stadiumin “Fadil Vokrri”
Demokracia
19:29 | 19 Mars 2024

Share:

Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar lidhur me dyshimet për kundërligjshmërinë e kontratave njëburimore apo siç njihen sipas ligjit ‘kontratat me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë’, të cilat janë rritur dukshëm viteve të fundit. Por, institucionet qendrore nuk po ndalën së lidhuri këso kontrata, shkruan Demokracia.com.

Procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është procedurë që Autoriteti Kontraktues e përdor për t’i negociuar termat e kontratës drejtpërdrejtë me një apo më shumë operatorë ekonomikë. Kjo është një procedurë e jashtëzakonshme dhe shmang parimet themelore të prokurimit, në veçanti transparencës dhe konkurrencës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila udhëhiqet nga Hajrulla Çeku, ka lidhur sot një këso kontrate në vlerë prej 1,319,000.00 euro për tenderin “Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje me rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë”.

Kontrata është negociuar me grupin e kompanive nga Stambolli: HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.

Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës nuk është cekur se për sa kohë duhet të kryhen punimet.

Ligji i Prokurimit Publik e ka parashikuar qartë se kur institucionet mund të lidhin kontrata të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë. Në këtë rast, MKRS-ja është dashur të iniciojë procedurë të hapur, ku pjesëmarrja e kompanive do të ishte shumë më e madhe dhe rrjedhimisht, çmimi i ofertës do të mund të ishte më i ulët. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Milionat e Qeverisë | Shpenzimi i parasë publike me tenderë njëburimorë u rrit frikshëm në vitin e kaluar

 

DOKUMENT | Alban Hyseni: “Ka vullnet për pengimin e stadiumit 15-milionësh”, Demokracia.com gjen se atë po e pengojnë të emëruarit e Kurtit

Të ngjashme