Lajme
DOKUMENT | Alban Hyseni: “Ka vullnet për pengimin e stadiumit 15-milionësh”, Demokracia.com gjen se atë po e pengojnë të emëruarit e Kurtit
Demokracia
19:42 | 12 Mars 2024

Share:

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se ka vullnet politik për të penguar realizmin e ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili peshon 15-milionë euro. Demokracia.com ka gjetur se Zyra e Prokurimit e komunës që udhëhiqet nga Hyseni ka proceduar kundërligjshëm në këtë tender. Këtë e kanë konstatuar dy institucione që merren me prokurimin dhe janë të “kapura” nga Qeveria Kurti, shkruan Demokracia.com.

“Sa i përket stadiumit të qytetit është 15 mijë euro vlera e projektit. Është stadium i kategorisë ku munden edhe ndeshje ndërkombëtare me u luajt aty. Sa vullneti është për me e pengu këtë projekt”, ka thënë Alban Hyseni.

Kurse, i pyetur se nga kush vjen vullneti për pengimin e realizimit të këtij projekti, Hyseni tha “nga politika, nga ku e di unë, nga grupet e interesit, nga të gjithë. Unë kam kundërshtarë politikë në Kosovë”.

“Unë ju tregova që interesi për me e pengu është i madh, sepse është projekt që ka impakt edhe politik. Unë nuk kam rast me tregu me emër, me mbiemër. Merrni kompanitë që kanë bë ankesë, dokumentet janë publike besoj, unë nuk po e paragjykoj. Vetëm merreni dhe analizoni, mu nuk më takon prej pozicionit të kryetarit me bë…”, ka thënë Hyseni dje per Tëvë 1.

Aludimi i Hysenit i atribuohet Qeverisë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti. Pse?

Fiks më 8 dhjetor 2023 është publikuar thirrja për “Renovimin e Studionit të Qytetit të Gjilanit”. Deri më tani ka mbetur në fazën e njoftimit për kontratë, pasi akoma nuk janë hapur ofertat për të ditur se kush ka garuar.

Por, që në start, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) kanë konstatuar që disa prej kritereve që u vendosen në dosjen e tenderit po konsiderohen se u bënë kundërligjshëm me Ligjin e Prokurimit Publik, duke favorizuar kompani të caktuara apo duke diskriminuar disa të tjera. Kjo ka bërë që të ketë vonesa, pasi ky konstatim i këtyre dy institucioneve ka ardhur pas ankesave që kanë parashtruar kompanitë tek to.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se tenderi kishte përfunduar në OSHP për shkak të pretendimeve se në dosje të tenderit janë vendosur kritere në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, Demokracia.com kishte gjetur se eksperti i autorizuar nga Paneli Shqyrtues e kishte vërtetuar këtë, duke e urdhëruar komunën që të bëjë përmirësimet e nevojshme. Së fundmi, siç ka parë Demokracia.com, vendim përfundimtar ka nxjerr edhe Paneli i OSHP-së duke e urdhëruar komunën të bëjë përmirësimin e dosjes së tenderit.

“Paneli shqyrtues lidhur me kërkesën e Dosjes së tenderit te pika;” III.2.4 Kapaciteti teknik dhe profesional: Kërkesa 2. b) Një udhëheqës i punishtes Inxhinier i diplomuar ose mastër i Arkitekturës, i certifikuar me FIDIC dhe i certifikuar për auditim të energjisë në ndërtesa sipas standartit DIN EN 16247, me minimum 5 vite përvojë pune nga data e diplomimit. Duhet të ketë udhëhequr së paku një kontratë të natyrës së ngjashme-ndërtim i lartë ose ndërtim i ulët”, PSH konstaton se kërkesa që Mbikëqyrësi-inxhinieri i punishtes të jetë i certifikuar me dy standarde, paraqet kufizim të konkurrencës së lirë në treg dhe mund të diskriminon OE potencial që mund të aplikojnë në këtë aktivitet të prokurimit. Paneli shqyrtues kërkon që njërën certifikatë ta largojnë nga kërkesa dhe Autoriteti kontraktues mundet sipas vlerësimit të tij, atë mund ta kërkojnë tek cilido nga profesionet e kërkuara te kjo kërkesë, me shkronjat: a, c,d,e., ashtu që të mos humbet cilësia sipas standardit të kërkuar me certifikata, apo mund ta largojnë krejtësisht si kërkesë nga dosja e tenderit, sipas vlerësimit”, thuhet në këtë pikë ankimore të Panelit të OSHP-së. (DOKUMENT)

Përkundër ‘ankesave’ të kryetarit Hyseni, Bordi i OSHP-së, i cili ka marrë vendim për këtë lëndë është i emëruar nga partia e tij në pushtet dhe të padëgjueshmit e Bordit shkarkohen, siç është rasti me Kimete Berishën.

Kryetar i Panelit Shqyrtues për këtë lëndë të prokurimit ka qenë Isa Hasanaj, i cili me propozim të kryeministrit Albin Kurti, në vitin e kaluar është emëruar anëtar i Bordit të OSHP-së nga Kuvendi i Kosovës. Ai ishte propozuar pas shkarkimit të Kimete Berishës, të cilën e kishte shkarkuar Kurti.

Po ashtu, Qeveria e ka të ‘kapur’ edhe Bordin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, të cilin e ka emëruar posa ka ardhur në pushtet, pos njërit nga anëtarët. KRPP-ja lëshon opinione për prokurimet e institucioneve publike kur vëren se në një tender janë vendosur kritere në kundërshtim me ligjin. Kështu e ka lëshuar një opinion edhe për tenderin e njëjtë, duke i kërkuar kryetarit të komunës që të merren masa në përmirësimin e kritereve, por ai nuk e ka përfillur atë. Se KRPP ka lëshuar opinion, kjo është konstatuar edhe në vendimin e Panelit të OSHP-së.

“Po ashtu, lidhur me ketë çështje, Paneli shqyrtues më datën 27.02.2024, përmes emalit zyrtar është njoftuar nga Komisioni Rregulativ i Prokurimit Publik lidhur me gjetjet e monitorimit të aktivitetit të prokurimit “Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit” me nr. të prokurimit: “651-23-13546-5-1-1” dhe vërehet në shkresën e monitorimit ka paraqit vërejtjet e njëjta, me rekomandime përkatëse, tek kjo pikë e dosjes së tenderit.

Kompania që ka parashtruar ankesë në OSHP ka pasur edhe pika tjera ankimore, por Paneli shqyrtues konstaton se sa i përket pretendimeve tjera ankimore lidhur me kërkesat e Dosjes së tenderit janë të pabazuara, pasi ai nuk ka arritur të dëshmojë me argumente, se ato kufizojnë konkurrencën e lirë në treg dhe diskriminojnë atë në këtë aktivitet të prokurimit, por që me tepër kanë të bëjnë me mënyrën e përdorimit të terminologjisë dhe të formulimit të kërkesave në Dosjen e tenderit, të cilat janë në diskrecion dhe përgjegjësi ligjore të Autoritetit kontraktues në bazë të LPP.

Duke qenë se kërkesat e dosjes së tenderit nuk janë hartuar sipas nenit 28 të LPP-së dhe qëllimet e ligjit, Paneli shqyrtues obligon autoritetin kontraktues që të bëjë zgjatjen e afatit për ofertim konform nenit 57.3 te LPP-së në mënyrë që t’i bëjë përmirësimet e nevojshme në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë.

Paneli shqyrtues konstaton se përmirësimi i Dosjes se tenderit do të ofrojë mundësi më të madhe për pjesëmarrje të OE-ve në aktivitetin e prokurimit, duke mos dëmtuar apo duke mos ulur cilësinë e produkteve/ushqimeve të kërkuara. PSH konsideron se gjithë AK-të duhet të kenë kujdes të shtuar në mënyrë që kriteret e përzgjedhjes nuk do të duhet të jenë padrejtësisht të rrepta që çojnë deri tek diskriminimi dhe kufizimi i konkurrencës, si dhe për të siguruar konkurrencë sa më të madhe të mundur, pa rrezikuar kontraktimin e kompanive joprofesionale dhe me qëllimin e kuptueshëm për të filtruar dhe përjashtuar kompanitë e paqëndrueshme, të cilat nuk mund që të zbatojnë kontratën specifike, kështu që kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbushin objektivin e saj dhe praktikisht të filtrojnë kompanitë e paqëndrueshme, në raport me vëllimin dhe kompleksitetin e punëve të parapara në aktivitet, por jo në masë që kriteret e vendosura të shpijnë në diskriminim dhe në paqëndrueshmëri dhe kundërshtim me dispozitat ligjore.

Gjatë ditës së djeshme, kjo procedurë e prokurimit, e cila është në fazën fillestare të ‘njoftimit për kontratë’, është pezulluar nga komuna për të bërë përmirësimet e kritereve në dosjen e tenderit.

Renovimi i stadiumit po synohet të bëhet pas një memorandumi që kanë bërë Komuna e Gjilanit dhe Ministria e Kulturës, e cila do ta financojë shumicën e këtij projekti.

Por, ende nuk dihet nëse edhe pas 15 milionë euro investime, ky stadium do të plotësojë kriteret e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve në arenat ndërkombëtare. /Demokracia.com – M.B./

Të ngjashme