Lajme
DOKUMENT| Ministri Latifi i “qeras” shoferët me pantallona e këmisha
Demokracia
15:46 | 10 Maj 2022

Share:

Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga Rifat Latifi ka vendosur që t’u blejë këmisha e pantallona shoferëve, duke shpenzuar hiç më pak se 986 euro.

Shoferët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk e kanë fare telashin se çfarë do të veshin në vendin e punës.

Për gardërobën e tyre ka vendosur të kujdeset vetë shefi i tyre, ministri Rifat Latifi.

Ministria e Shëndetësisë, që drejtohet nga Latifi, ka vendosur që t’ua blejë vetë këmishët, pantallonat e setrat shoferëve, duke shpenzuar hiç më pak se 986 euro, raporton Demokracia.com

Tenderin “Furnizim me veshmbathje për shoferët e MSH-së” e ka fituar kompania “Melodia”, duke mos e futur fare në konkurencë, pasi ajo ka qenë e vetmja në këtë garë.

“Vlera e përgjithshme e kontratës 986,30. Furnizim me veshmbathje për shoferët e MSH-së. Numri i tenderëve te pranuar: 1.Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 1. Emri zyrtar: ” MELODIA ” SH.P.K. Data e nënshkrimit te kontratës: 04.05.2022”, shkruan në njoftimin e bërë publik në e-prokurim.

Në dosjen e tenderit është treguar se me 986 euro do të blihen 7 palë pantallona e setër dhe 7 këmisha.

“Furnizim me pantallona dhe setër sipas dimensioneve te shoferëve te MSh-së. Komplet 7. Furnizim me këmisha sipas dimensioneve të shoferëve të MSH-së, 7 copë”.

Gjashtë muaj më parë, kryeministri Albin Kurti ia besoi doktor Rifat Latifit postin e Ministrit të Shëndetësisë, pas dorëheqjes së Arben Vitisë nga kjo pozitë për shkak të angazhimit të tij si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në këtë kohë sa shëndetësia po drejtohet nga Latifi, nuk po vërehet ndonjë punë e madhe. Madje, Rifat Latifi pothuajse çdo ditë merr kritika për mospunë./Demokracia.com/.

Të ngjashme