Lajme
DOKUMENT| Me data dhe afate të ndryshme për të njëjtin konkurs, MASHTI kërkon inspektorë të arsimit
Demokracia
21:26 | 19 Maj 2023

Share:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci e Lëvizjes Vetëvendosje, ka shpallur konkurs për pranimin e disa inspektorëve të arsimit. 

Konkursi është publikuar në faqen zyrtare të MASHTI-t dhe në faqen e Shërbimit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ), por me data të ndryshme.

Të interesuarit për këto pozita, sipas publikimit në webfaqen e MASHTI’t, mund të aplikojnë nga data 18 maj deri më 25 maj, shkruan Demokracia.com.

Kurse, i njëjti konkurs në SIMBNJ, e ka afatin për aplikim nga data 26 maj deri më 5 qershor.

Në muajin mars ishte anuluar konkursi për 20 inspektorë.

Ministria e Arsimit nuk ka arritur t’i rekrutojë 20 inspektorë, meqë pas dyshimeve për kurdisje të procesit është anuluar konkursi i shpallur për ta nga Ministria e Punëve të Brendshme. Me konkurs u përzgjodhën në listën e ngushtë 39 nga 240 kandidatët, edhe pse sistemi online për t’i ngarkuar dokumentet nuk funksionoi. Në Ministri të Arsimit kishin thënë se personat e përfshirë në proces do të mbahen përgjegjës.

Momentalisht, inspektorati i arsimit funksionon me gjithsej 30 inspektorë. Bazuar në ligj, ata janë të obliguar të kryejnë inspektime për cilësinë e punës, të bëjnë hospitime tematike, emergjente dhe riinspektime në të gjitha shkollat e Kosovës.

Ministria e Arsimit ka premtuar se këtë vit do t’i punësojë 40 inspektorë. /Demokracia.com/

Të ngjashme