Lajme
DOKUMENT | Loja me tenderin që alarmoi ish-nënkryetarja e Prishtinës: Paradite anulohet, pasdite shkon përsëri në vlerësim
Demokracia
10:50 | 05 Mars 2024

Share:

Pak ditë para se të shkarkohej, ish-nënkryetarja e Prishtinës kishte ngritur dyshime lidhur me tenderin për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore në kryeqytet. Ajo kishte kërkuar që të mos shpallej në formën që ishte menduar të procedohej, por për këtë nuk e kishte pyetur kush, përkundër që binte mbi fushëveprimtarinë e drejtorisë së saj. Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që ta çojë përpara këtë tender, shkruan Demokracia.com.

Para rreth dhjetë ditëve, prokurimi i Komunës së Prishtinës vendosi të anulojë në tërësi këtë procedurë të prokurimit. Bazuar në dokumentin e saj në E-prokurim, arsyetimi i anulimit ishte se kompanitë ‘nuk ofruan materiale mësimore konform kërkesave të tenderit’.

“Komuna e Prishtinës rekomandon anulimin e aktivitetit: Gjatë vlerësimit të ofertave kemi pa që ofertuesit nuk kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave të kurrikules së re të Republikës së Kosovës andaj si anëtar i komisionit vlerësues rekomandoj që të anulohet ky aktivitet i tanishëm dhe të rishpallet prap me kërkesat me specifike”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Visar Shehu, shef i prokurimit në Prishtinë.

Por, vetëm pas pak ditëve, sipas prokurimit të Komunës së Prishtinës, kompanitë kanë ofruar materiale mësimore konform kërkesave të tenderit. Kështu vlerësoi komuna, pasi aty u ankuan disa kompani menjëherë pasi ishte anuluar ky aktivitet i prokurimit. Tash prokurimi i komunës e ka anuluar vendimin e vet për anulim të procedurës dhe procesin e ka kthyer edhe një herë në rivlerësim.

Me fjalë të tjera, nëse përkthehet shumë më thjeshtë, komuna ka thënë se “na falni se kemi gabuar herën e parë kur e kemi anuluar për arsye se nuk keni ofruar materiale mësimore dhe tash po ia nisim edhe një herë prej fillimit po e vlerësojmë, kush t’i plotëson kërkesat e rekomandojmë për kontratë”. Kjo huqje nga zyra e prokurimit e Komunës së Prishtinës, një herë s’keni ofruar e mandej keni ofruar, zakonisht duhet të sanksionet nga mbikëqyrësit e zyrtarëve të prokurimit.

Ky tender kishte vlerën mbi 335 mijë euro dhe decidivisht quhet “Digjitalizim i proceseve edukativo-arsimore – ritender”. Është i ndarë në dy pjesë (lot) dhe rrjedhimisht kaq kontrata planifikohen të lidhen. Pas hapjes së ofertave vërehet se në garë kanë qenë tetë kompani: 1 “Kolegji Ndërkombëtar Për Biznes Dhe Teknologji – UBT”, 2 “BAMBUS”, 3 “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K”, 4 “N.SH. ASIXON”, 5 “BEZEP Solutions SH.P.K.”, 6 “RENER SH.P.K”, 7 “PBC SH.P.K”, 8 “Arianit R. Bytyqi”.  Të gjitha kompanitë kanë ofertuar për dy pjesët.

Pasi, komuna kishte shpallur të papërgjegjshme të gjitha kompanitë me arsyetimin e lartshënuar dhe më pas janë ankuar tri kompani. Dy prej tyre ua kanë pranuar ankesat dhe njërës ia kanë hedhur poshtë.

“Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore është gjetur se komisioni vlerësues nuk ka arritur që të bëjë ekzaminimin, krahasimin dhe vlerësmin e plotë të tenderëve, ashtu që nuk ka arritur të sqarojë në mënyrë të detajuar arsyet për anulimin e aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 62 të LPP lidhur më nenin 43 të RRPP. Në këtë mënyrë është gjetur se pretendimet ankimore të parashtruesve. Për këtë arsyeje janë miratuar si të bazuara kërkesat për rishqyrtim të parashtruesve”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Komunës së Prishtinës, që ka çuar në anulimin e vendimit të vet dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

Komuna e Prishtinës ka lënë në garë vetëm dy kompanitë ankimore, të cilave do t’ua rivlerësojë ofertat, 3 “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K”, dhe “Rener” shpk.

Në javën e kaluar kur ishte kumtuar lajmi se Komuna e Prishtinës kishte anuluar këtë procedurë të prokurimit, ish-nënkryetarja e Prishtinës e shkarkuar nga kryetari Përparim Rama, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar. Por, pak ditë para se të shkarkohej nga pozita me vendim të Ramës, Sahatçiu kishte njoftuar se nuk ka pranuar ta nënshkruajë dokumentin që ky tender të shkonte përpara.

Lidhur me tenderin në fjalë, Sahatçiu tha më pas se realiteti u shpërfaq.

Sahatçiu tha se është lajm i mirë që u anulua tenderi, sepse nuk do të duhej të shpallej ndonjëherë në atë mënyrë.

“Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet“, shkroi Sahatçiu.

Tutje, ish-nënkryetarja tha se ky tender nuk duhet të rishpallet njësojë, por të merren veprimet e nevojshme sipas ligjit.

“Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë“, ka shkruar ajo.

Mbetet të shihet nëse Komuna e Prishtinës do të anulojë përsëri tenderin pas rivlerësimit apo do ta rekomandojë për kontratë ndonjë kompani. /Demokracia.com/

Të ngjashme