Lajme
DOKUMENT| Kurti në varrimin e Albright, 10 vjet pas kërcënimit të saj nga aktivistët e LVV-së
Demokracia
20:34 | 27 Prill 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë sot pjesë në ceremoninë mortore të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Sidoqoftë, lideri i LVV-së që tani është kryeministër, sa ishte në opozitë nuk tregonte të njëjtin respekt ndaj gruas që sot u nderua nga liderë të tërë botës. Madje, situata kishte shkuar aq larg, deri në adresimin e dhjetëra kërcënimeve në adresë të saj.

Trupi i pajetë i Madeleine Albright, gruas që kishte rol kyç në ndërhyrjen e trupave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, duke bombarduar Serbinë, ka qëndruar sot në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit për t’iu dhënë lamtumira e fundit, pas vdekjes së saj më 23 mars në moshën 84 vjeçare, raporton Demokracia.com.

Përveç ndërhyrjes së NATO-s, Albright ka pasur rol të jashtëzakonshëm edhe në shtetndërtimin e Kosovës, duke e vizituar disa herë pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Në vizitat e saj, ajo ishte pritur nga liderë të vendit, duke përmendur këtu ish-presidentin Hashim Thaçi.

Kurti nuk e kishte mundësinë që ta takonte Albright-in, por gjatë kohës sa ishte në opozitë, ai kishte treguar haptas se nuk ka simpati për këtë grua që e nderon e gjithë Kosova.

Demokracia.com pak pas vdekjes së Albright kishte publikuar ekskluzivisht letrën kërcënuese që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ia kishin dërguar ish-sekretares amerikane.

E gjithë fushata kundër saj nga Vetëvendosje kishte filluar kur Albright kishte vendosur që të investonte në Kosovë me kompaninë e saj  “Albright Capital Management Llc”, ku i ishte futur garës me 7 kompani të tjera vendore dhe ndërkombëtare për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar fuqishëm garimin e Albright për të investuar në Kosovë, duke e kërcënuar atë përmes aktivistëve të saj.

“Ndërmarrja publike të cilën ju synoni ta shpronësoni nga ne, përmes Qeverisë Thaçi, është ndërtuar nga mundi i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ky proces i privatizimit është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Këta të fundit, së bashku me mijëra qytetarë, kanë protestuar disa herë kundër privatizimit. Procesin e mbështet vetëm partneri juaj, Hashim Thaçi. Personi që ju keni zgjedhur si partner nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Partneri juaj, Hashim Thaçi, është personi kryesor përgjegjës për minimin e kësaj ndërmarrjeje me korrupsion të thellë, shpërdorim dhe nepotizëm. Përkundër kësaj, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej rreth 90 milionë euro në vit, fitim i cili është thelbësor për funksionimin e shtetit social. Nëse largohet korrupsioni dhe nepotizmi i Qeverisë Thaçi, kjo ndërmarrje do t’i sillte Kosovës 130-140 milionë euro fitim në vit. Ky korrupsion nuk largohet nëse e privatizoni këtë ndërmarrje, sepse vetë investimi juaj është korruptiv, pasi nuk bazohet në pëlqimin e punëtorëve dhe qytetarëve, por vetëm të Hashim Thaçit dhe vartësve të tij. Nuk jeni ju zgjidhja që ne kemi kërkuar; në vend të kësaj ju jeni ata që do të merrni fitimet e Telekomit të Kosovës dhe do të na lini me Postën e Kosovës humbëse. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, thuhej në letrën që aktivistët e Kurtit ia kishin dërguar masivisht ish-sekretares Albright si aksion protestues kundër saj.

EKSKLUZIVE| Kjo është letra e LVV-së për Albright, ku akuzohej për korrupsion dhe kërcënohej me ballafaqim nga aktivistët e Kurtit

Në fund të kësaj letre të siguruar nga Demokracia.com, shihej edhe kërcënimi për të cilën kishte folur ambasadorja Jacobson.

Aty theksohet qartë se çdo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë të personalizuar, kishte thënë se do t’i mbledhin familjarët dhe të gjithë ata që i njohin për ballafaqim me ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.

Pikërisht për çështjen e njëjtë, Albright ishte kërcënuar me padi edhe nga drejtori i atëhershëm i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin, letër të cilën gjithashtu e kishte siguruar Demokracia.com.

EKSKLUZIVE| Pak muaj para LVV-së, Albright për PTK-në ishte kërcënuar edhe nga Vulini

Ndryshe, Albright sot është nderuar me një ceremoni mortore ku kanë marrë pjesë rreth 1400 persona, duke përfshirë këtu liderë nga vende të ndryshme të botës.

Ceremoninë e ka udhëhequr vetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërsa fjalim kanë mbajtur edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, të cilët kanë qenë miq të afërt të Albright.

Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin edhe ish-presidenti Barack Obrama dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama.

Nga Kosova, përveç Kurtit e Osmanit, në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga./Demokracia.com/

Të ngjashme