Lajme
EKSKLUZIVE| Pak muaj para LVV-së, Albright për PTK-në ishte kërcënuar edhe nga Vulini
Demokracia
17:40 | 26 Mars 2022

Share:

Në shtator të vitit 2012, Lëvizja Vetëvendosje kishte “urdhëruar” aktivistët e saj që t’ia nisnin një letër ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, ku kundërshtonin shitjen e PTK-së, për blerjen e së cilës ishte e interesuar edhe kompania e saj. Në letrën që e ka publikuar ekskluzivisht Demokracia.com, shihet se partia që tani është në pushtet kishte përdorur një gjuhë tepër të rëndë, ku edhe e kishte kërcënuar ish-sekretaren Albright. Për të njëjtën çështje, duke përdorur kërcënime të ngjashme, letër asaj i kishte dërguar edhe politikani serb Aleksandar Vulin, tani Ministër i Mbrojtjes në Serbi.

Pak kohë para LVV-së, më 25 qershor 2012, ish-sekretares Albright ia kishte dërguar një letër asokohe për PTK-në edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin.

Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com, versionin e përkthyer në gjuhën shqipe për nevoja të institucioneve, shihet se Vulin pretendonte se në rast të shpalljes si fituese e ofertës, kompania e Albright do të përballej me procese gjyqësore, pasi që do të paditej nga Serbia.

“Pasi që kuptuam se kompania juaj është kualifikuar dhe është përshirë në listën e blerësve potencialë për 75% të kapitalit të kompanisë së Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), duke vepruar në bazë të vullnetit të mirë, vlerësojmë se e kemi për detyrë që t’ju lajmërojmë mbi faktet lidhur me pronësinë e vërtetë mbi asetin e tenderuar. Shqyrtimi me kujdes i fakteve që ky dokument i përmban dhe kryerja e procesit të kujdesit të duhur nga ju më pas mund t’ju ndihmojnë në shmangien e procedurave të gjata dhe të shtrenjta gjyqësore lidhur me pronësinë ligjore të këtyre aseteve në fazat e mëvonshme, në rast se kompania juaj eventualisht arrin të jetë ofertuesi fitues në këtë tender. Ju sigurojmë se kjo pronësi do të kontestohet në mënyrë të paevitueshme pranë gjykatave kompetente. Në fakt, asetet që de facto janë në posedim dhe shfrytëzim nga PTK, 75% e të cilave janë tenderuar për shitje, janë de facto dhe de jure pronë e Ndërmarrjes Publike për Komunikim Postar, Telefonik dhe Telegrafik të Serbisë (Javno produzece za postanski, telefonski i telegrafski saobracaj Srbije – JP PTT Srbija) dhe e Telekomit të Serbisë sh.a. nga Beogradi (Telekom Srbije a.d. Beograd). Për më tepër, të gjitha asetet postare dhe të telekomunikacionit brenda Kosovës janë pronë e këtyre dy operatorëve ekonomikë të Serbisë – JP PTT Srbija dhe ‘Telekom Srbija’ sh.a. Beograd, ndërsa Republika e Serbisë mban pjesën më të madhe të kapitalit aksionar të Telekom Srbija sh.a. Beograd. Kjo kompani është e regjistruar për ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse dhe mobile, në bazë të licencës së lëshuar nga Organi Rregullativ i Republikës së Serbisë në vitin 1997, e cila vlen për tërë territorin e Serbisë, do të thotë përfshirë Kosovën”, thuhet në këtë letër të Vulin drejtuar Albright, të cilën e ka siguruar Demokacia.com.

Vulin në këtë letër të dërguar Albright deklaronte se Posta dhe Telekomi i Kosovës është pronë e Serbisë dhe se shitja e saj është e jashtëligjshme.

Sipas tij, UNMIK në Kosovë gëzonte autoritet për qasje gjithëpërfshirëse në zhvillimin e ekonomisë, por pa përfshirë ndërhyrjen në prona.

“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara njeh dhe konfirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë mbi Kosovën dhe përcakton mandatin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në bazë të Rezolutës 1244, Shtojca 2, Pika 9, UNMIK-u gëzon autoritet për të siguruar një “qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e krizës në regjion”. Sa i përket pronës shtetërore, mandati i UNMIK-ut përcaktohet me Rregulloren 1999/1 të datës 25 qershor, e cila në nenin 6 rregullon administrimin e saj, por nuk përfshin disponimin me prona të Republikës së Serbisë. Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 1999/12 e datës 14 tetor 1999, “me qëllim të ofrimit të shërbimeve postare dhe të telekomunikacionit” themelon PTK-në, “në baza të përkohshme dhe për tërë kohëzgjatjen e mandatit të UNMIK-ut, dhe duke iu nënshtruar aranzhimeve tjera të kryera nga PSSP […]” (neni 1.1). Kjo Rregullore i jep PTK-së “[…] autoritetin për të shfrytëzuar asetet postare dhe të telekomunikacionit në dispozicion në Kosovë” (neni 1.2) dhe “administrimin dhe të qenit përgjegjës për të gjitha asetet, stabilimentet dhe stafin e shfrytëzuar dhe punësuar nga ajo” (neni 1.3). Referencë i bëhet të gjitha aseteve postare dhe të telekomunikacionit në dispozicion në Kosovë në momentin e nxjerrjes së Rregullores, e të cilat aktualisht janë pronë e Ndërmarrjes Publike PTT Srbija dhe Telekom Srbija sh.a. Beograd. Ne theksojmë se nuk pasur bartje të pronësisë apo të drejtës së nënkuptuar apo shprehur për të bartur pronësinë. Në praktikë, edhe JP PTT Srbija edhe Telekom Srbija sh.a. Beograd nuk kanë gëzuar kontroll mbi asetet e tyre në të gjitha zonat e banuara me shumicë shqiptare, që nga qershori i vitit 1999, për shkak të brengave serioze për sigurinë”, shkruan në letrën që Vulin ia kishte dërguar ish-sekretares Albright, raporton Demokracia.com.

Edhe Vulin ia kishte bërë një kërcënim ish-sekretares amerikane në këtë letër, duke i thënë se do të përdorë të gjitha rrugët ligjore, duke iniciuar procedura në gjykata të Serbisë dhe në organe të tjera ndërkombëtare.

“Sipas vlerësimit të një auditori të pavarur me reputacion, prona e “Telekom Srbija sh.a. Beograd në Kosovë përbën 7% të aseteve të gjithmbarshme të saj. Dëmet e gjithmbarshme që i shkaktohen kësaj kompanie për shkak të privimit de facto të posedimit të pronës, profitit të humbur, mosgëzimit të drejtave dhe pagesave të ndryshme për punonjësit aktual dhe ish-punonjësit e saj të cilët janë detyruar të zhvendosen për shkak të mosekzistimit të sigurisë për serbët dhe joshqiptarët në përgjithësi, arrin në rreth 1.4 miliardë dollarë.” Marrë parasysh faktet e mësipërme, ne ju informojmë se tenderimi për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së përbën një synim që të blihet nga një entitet që nuk është pronar në pronën, e cila është pronë ligjore e operatorëve ekonomikë të themeluar në Republikën e Serbisë dhe eventualisht kapitali aksionar që është pronë e Republikës së Serbisë. Ju lusim të keni parasysh se Republika e Serbisë do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e veta legjitime pronësore, duke iniciuar procedura pranë gjykatave relevante në vendin e regjistrimit dhe/ose selisë së kompanisë, si dhe pranë të gjitha organeve ndërkombëtare, kundër të gjitha entiteteve që mëtojnë të shkelin të drejtat legjitime pronësore dhe interesat pronësore të saj”, thuhej në fund të letrës së Vulinit, e cila institucioneve përgjegjëse në Kosovë u ishte shpërndarë e përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Gjatë asaj kohe, Vulin kishte lëshuar edhe një deklaratë për media përmes zyrës të cilën e drejtonte, ku i kishte kërcënuar edhe autoritetet në Kosovë me pasoja ligjore.

Megjithatë, Ambasadat e Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë në Kosovë, e kishin mbështetur privatizimin e PTK-së.

Sa i përket blerjes së PTK-së, “Albright Capital Managment Llc” ishte në mesin e 8 kompanive të interesuar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Disa prej kompanive të tjera ishin vendore dhe ndërkombëtare, raporton Demokracia.com.

Autoritetet kompetente si kompani fituese kishin shpallur kompaninë gjermane “AXOS Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, më një vlerë 277 milionë euro.

Sidoqoftë, më 31 dhjetor 2013, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) kishte njoftuar se ka dështuar përfundimisht procesi i privatizimit të këtyre aksioneve të PTK-së./Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE| Kjo është letra e LVV-së për Albright, ku akuzohej për korrupsion dhe kërcënohej me ballafaqim nga aktivistët e Kurtit

Të ngjashme