Lajme
DOKUMENT | Komuna e Prishtinës shkel ligjin për ‘tunel transformues’ që pritet të kushtojë 6 milionë euro
Demokracia
20:36 | 24 Prill 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka filluar me procedurat tenderuese për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”. Por, para se të hapej ky tender është bërë projekti sesi duhet të jetë ky nënkalim. Demokracia.com ka gjetur se projekti është bërë duke u shkelur Ligji i Prokurimit Publik.

Nenkalimi që doli këto ditë në tender parashihet të kushtojë 6 milionë euro. Tenderi është hapur të hënën dhe kompanitë mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 15 maj, pra në një afat shumë të shkurtër për projekte të mëdha.

Për tenderin e këtij projekti ka shkruar sot në rrjetin social edhe kryetari Përparim Rama, por ai e ka fshehur se kush është projektuesi.

“Transformimi i Prishtinës po vazhdon🤩 🚧Ndërtimi i tunelit “Agim Ramadani” tanimë është në fazën e prokurimit.”, ka shkruar Rama, duke ilustruar edhe fotografi sesi do të duket projekti.

Sipas burimeve brenda komunës, këto fotografi të ilustruara kanë dalë nga kompania që e ka bërë projektin.

Demokracia.com ka gjetur se komuna ka shkelur Ligjin e Prokurimit kur e ka autorizuar kompaninë Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit SHPK të bëjë këtë projekt. Kjo pasi fillimisht ishte hapur tender, duke u shpallur fituese një kompani e pastaj nuk i ishte nënshkruar kontrata pa asnjë arsye, ndërsa SHAK SHPK nuk ka qenë fare pjesmarrëse në këtë proces tenderimi. Demokracia.com e ka gjetur se për projktin ideor është angazhuar kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit SH.P.K.”, e cila është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës më 27 qershor 2023, si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara. Pronarë të saj janë ANARCH SH.P.K. dhe Ardi CC L.L.C. E para është në pronësi të Astrit Nixhës, e dyta në emër të Albi Shita. Kjo kompani në vitin e kaluar ka dalë fituese e tenderit që quhet “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

Para se të autorizohej që të bënte projektin SHAK, më 8 maj 2023, AK – Komuna e Prishtinës kishte hapur thirrje nëpërmjet faqes së E-prokurimit për “Hartimi i projektit kryesor për ndërtimin e nënkalimit (tunelit) automobilistik në kryqëzim të rrugëve Agim Ramadani dhe Ibrahim Lutfiu Prishtinë”.

Demokracia.com ka gjetur se në garë kanë qenë 7 kompani, ndërkohë për kontratë ishte rekomanduar kompania me çmimin më të lirë “3 D Project”, me çmim prej 184 mijë euro.

Siç shihet nga njoftimi komunës, kompania SHAK nuk ka qenë farë garuese në këtë tender.

Bazuar në ‘njoftimin për dhënie të kontratës”, i cili është i nguruar në E-prokurim, kontrata është dashur të nënshkruhet më 28.07.2023. Më pas asnjëra nga kompanitë garuese nuk është ankuar tek Komuna e Prishtinës, por zyra e prokurimit nuk e ka ftuar fare për nënshkrim të kontratës, duke thyer rëndë Ligjin e Prokurimit.

Demokracia.com do të raportojë lidhur më atë përse KRPP-ja nuk mori masa ndaj zyrave të prokurimit për këtë shkelje, si dhe do të bëjë krahasimin e çmimeve të kompanisë fituese në krahasim me çmimin që i është paguar SHAK. /Demokracia.com/

Të ngjashme