Lajme
DOKUMENT | Komuna e Prishtinës ia pagoi kompanisë “Sallahu” mbi 130 mijë euro në muajin kur Gjykata ia pezulloi punimet në Rrugën A
Demokracia
12:22 | 09 Nëntor 2023

Share:

Gjykata Komerciale në Prishtinë, në muajin tetor ka marrë vendim që të pezullohet ndërtimi i Rrugës A në Prishtinë. Ky vendim i Komerciales ia ka komplikuar punën Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, lidhur me tenderin e shumëpërfolur mbi 8 milionë euro, që qeverisja e Ramës ia kishte dhënë kompanisë ”Sallahu”, por edhe përkundër këtij fakti punimet nuk janë ndalur, shkruan Demokracia.com.

Pikërisht në muajin që gjykata kishte urdhëruar ndaljen e punimeve, komuna e Përparim Ramës ia ka lëshuar një pagesë kompanisë ”Sallahu”, në emër të një situacioni.

Demokracia.com e ka parë vlerën e kësaj pagese të kryer në muajin tetor. Bëhet fjalë për një faturë të paguar në shumën prej 136,170.13 euro.

Kompanisë “Sallahu” i ishte dhënë kontrata për ndërtimin e “Rrugës A” nga Komuna e Prishtinës, për të cilën Gjykata Komerciale, më 17 tetor 2023, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, sh.p.k., për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), më 19 prill 2023, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”.

Aty, ndër të tjera, thuhet se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi dhe pezullimi i aktiviteteve të prokurimit, i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale, është më se i duhur që të ruhet interesi publik dhe se Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi për shpërblimin e OE “Sallahu” me kontratë, drejtori i së cilës është i dënuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Kjo ngase Paneli Shqyrtues nuk është marrë fare me pretendimin kryesor të ngritur nga ankuesi që ka të bëjë me shkelje të nenit 65 të LPP-së nga AK, duke shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik Sallahu Sh.p.k. Drejtori i të cilit është i dënuar për veprën penale Falsifikim i Dokumentit Zyrtar nga neni 398 par.2 të KPRK-së, në mënyrë që ta vlerësoj përshtatshmërinë e OE të zgjedhur, në përputhje me dispozitat imperative ligjore”, thuhet në vendim, përcjell Demokracia.com.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj personit juridik, kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k dhe dy personave fizikë, Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe Naim Sallahut.

I pandehuri Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”. /Demokracia.com/

Të ngjashme