Lajme
DOKUMENT| Këshilltarja e ministrit të Kurtit i thuri lavde terroristit serb të vrarë nga Policia e Kosovës në Banjskë
Demokracia
15:00 | 12 Tetor 2023

Share:

Politikania serbe me nënshtetësi të Kosovës, Sladjana Pantovic, para pak javëve është emëruar këshilltare e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Politikisht është kundërshtare e Listës Serbe, por këshilltarja e ministrit Elbert Krasniqi para pak ditëve ka shkruar një koment jo fort të pëlqyeshëm për shumëkënd.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i serbëve të armatosur rëndë në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, duke e lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku. Sulmi dhe grupi i armatosur u cilësua si më i madhi terrorist që nga paslufta. Në mesin e sulmuesve, u vranë katër persona.

Por, këshilltarja e ministrit të Kurtit, Sladjana Pantovic, si një qytetare serbe, pos që shprehi ngushëllime për familjet e viktimave të vrara, thuri lavde për njërin nga personat e vrarë që ishte pjesë e grupit terrorist. Këtë e bëri, pasi tha që atë e njihte personalisht dhe e kishte fqinj.

“I dashur Stefan, ti ishe një djalë i mrekullueshëm, një njeri i mirë, një komshi i mirë. Shumë shpejt ike nga kjo botë. Bashkëqytetarëve tu do t’u mungojë buzëqeshja dhe mirësia jote. U prefsh në paqe engjujt qofshin me ty. Çdo gjë tjetër që do të shkruaja është e tepërt, sepse nuk ka fjalë ngushëllimi. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Nedeljkoviq”, shkroi në Facebook, këshilltarja e ministrit Elbert Krasniqit. Pos këtij postimi, ajo nuk ka bërë ndonjë sqarim tjetër, nën pretendimet se i njëjti mund të ketë qenë i manipuluar nga njerëzit e Milan Radojqiçit.

Sladjana Pantovic vetëm një muaj pas marrjes së postit të nënkryetarit të Komunës së Zveçanit është shkarkuar nga ajo pozitë, për shkak të “moskryerjes së detyrës dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës”. Ajo nga kjo detyrë u lirua nga kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

“Sot kam vendosur që ta liroj nga detyra nënkryetaren e komunës, znj. Sllagjana Pantoviq. Ky vendim është rezultat i mospërmbushjes së detyrave, tejkalimit të autorizimeve, si dhe mosshërbimi ndaj të gjithë qytetarëve të komunës”, ka shkruar Peci në Facebook.

Më pas e njëjta është emëruar këshilltare te ministri i Kurtit, Elbert Krasniqi.

Megjithatë, Pantovic është kundërshtare e Listës Serbe dhe këtë e ka shprehur haptazi. Madje, kur ajo ishte sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, sulmin e kishte lidhur me njerëzit e Listës Serbe. /Demokracia.com/

Të ngjashme