Lajme
DOKUMENT| KEK-ut nuk i shitet qymyri 16 milionësh, kosovarët po importojnë nga Indonezia
Demokracia
19:00 | 23 Tetor 2023

Share:

Kosova fle mbi qymyr, por po e importon këtë produkt nga jashtë.

Në muajin gusht të këtij viti, Korporata Energjetike e Kosovës – KEK, nëpërmjet platformës elektronike për prokurimin publik, ka nxjerr në shitje fiks 300 mijë tonelata qymyr. Vlerë kjo një ndër më të lartat viteve të fundit, për të cilën u vendos një çmim fillestar afro 16 milionë euro, fiks 15,965,400.00 euro, shkruan Demokracia.com.

Iniciativa për të shitur këtë produkt ka dështuar. Kjo për shkak se prokurimi i KEK-ut nuk ka pasur blerës. “Shitja e qymyrit për sasinë 300 000 tonë, anulohet ky aktivitet i prokurimit, sepse nuk kemi pasur asnjë ofertë”, thuhet në vendimin e anulimit të cilin e ka parë Demokracia.com.

Ndonëse kërkesat për këtë produkt thuhet se janë rritur gjetkë, për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë Evropën, kosovarët po e blejnë vazhdimisht.

Nga të dhënat e Doganës së Kosovës, të cilat i ka siguruar Demokracia.com, shihet se mbi 3 milionë euro është vlera e importit nga janari deri në shtator të këtij viti.

“Thëngjill druri” është importuar në një vlerë prej 236 mijë euro. Kjo blerje është bërë nga Serbia, Turqia, Polonia, por kryesisht edhe nga Indonezia.

Vetëm “Qymyr guri tjetër (jo antracit ose qymyr bituminoz)”, i cili është importuar në tre muaj të ndryshëm të vitit (tri blerje), është importuar në një vlerë mbi 3 milionë euro. Ky import është bërë nga Afrika.

Thëngjilli i përpunuar përdoret për disa qëllime, përfshirë edhe ngrohjen, edhe pse ndikon në ndotjen e ajrit kur digjet.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar, po ashtu, mungesa të energjisë elektrike gjatë dimrit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të gjejnë alternativa për ngrohje.

Ajo, madje, ka shfuqizuar një vendim të vitit 2018, në bazë të të cilit shitja e thëngjillit nga KEK-u ka qenë e ndaluar.

Mungesa e thëngjillit të përpunuar në Kosovë ka bërë që kompanitë private të mos mund të furnizohen.

“Kosova Thëngjilli”, kompania e vetme e licencuar për shitjen e thëngjillit të përpunuar në Kosovë, nuk e ka vazhdimisht këtë lëndë, ndërsa kërkesat për të janë në rritje tash e sa kohë.

“Kosova Thëngjilli” është shoqëri aksionare, e krijuar në vitin 2013, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ajo e blen thëngjillin nga KEK-u, e përpunon dhe më pas e shet. Kontrata mes KEK-ut dhe “Kosova Thëngjillit” përditësohet çdo tre vjet.

Afati i kontratës ka skaduar në dhjetor 2022. /Demokracia.com/

Të ngjashme