Lajme
DOKUMENT| Injorohet keq Donika Gërvalla, ekspertët i thonë jo pagesës 7 mijë euro në MPJD
Demokracia
11:50 | 03 Gusht 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka anuluar tenderin në vlerë të 7 mijë e 200 eurove, që kishte për qëllim angazhimin i një eksperti. Anulimi është bërë pasi që askush nuk ka shprehur interesim të aplikojë.

Ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla ka filluar të injorohet edhe nga ekspertët.

Madje, as paga prej 7 mijë eurove nuk po i josh.

Një tender që kishte për qëllim angazhimin e një eksperti për planifikimin dhe koordinimin e procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës është kthyer në pikën zero.

Anulimi i tij është bërë pikërisht për shkak se numri i tenderëve të pranuar ishte 0, shkruan Demokracia.com.

“Nuk është pranuar asnjë tender. Angazhimi i një eksperti për planifikimin dhe koordinimin e procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit. Data e vendimit mbi anulimin e procedurës 31.07.2023. Numri i tenderëve të pranuar 0. Vlera e këtij tenderi 7,200.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Sipas MPJD-së, kontrata e paraparë për ekspertin do të ishte 8 muaj.

“Vendi i performimit te shërbimeve është: MPJD. Afatet kohore për fillimin dhe/ose përfundimin e kontratës: Kontrata do të jetë valide 8 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës”.

Ministria ka treguar në detaje se çfarë pune do të bënte eksperti i kërkuar edhe cili ishte qëllimi i angazhimit të tij.

“Në kuadër të komponentëve që ndërlidhën me fushëveprimin e sektorëve të përmendur më lartë,  MPJD ka planifikuar të angazhojë Një ekspert të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Sistemit Juridik të Republikës së Kosovës, i/e cili/a do të angazhohen për të hartuar analiza, sintetizuar dhe standardizuar raporte, në kuadër të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, të miratuar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023. Përmes kësaj synohet sigurimi i kapaciteteve për MPJD-në për ta mirëmbajtur punën e Grupit Koordinues, hartimin e analizave nga fusha e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, dhe sintetizimin dhe standardizimin e raporteve dhe analizave të institucioneve dhe anëtarëve të tjerë të Grupit Koordinues”.

MPJD ka treguar se në përputhje me Strategjinë për Politikë të Jashtme dhe Planin e Punës, përmes ekspertizës nga profesionistë të fushës, MPJD do të fokusohet me theks të veçantë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata relevante ndërkombëtare.

“Në këtë linjë, në pajtueshmëri me termat e referencës (TR) do të ofrohet një ekspertizë profesionale e strukturuar konform objektivave dhe përgjegjësive të MPJD-së, për fazën e dytë të procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”./Demokracia.com/

Të ngjashme