Lajme
DOKUMENT| Hekuran Murati paguan konsulent për t’i detyruar qytetarët ta paguajnë tatimin në pronë
Demokracia
13:35 | 30 Janar 2023

Share:

Qytetarët e Komunës së Prishtinës janë ankuar për rritje të çmimit të tatimit në pronë. Komuna ka thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave, teksa kjo e fundit ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat. Ndërsa, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), përmes një reagimi ka sqaruar se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

Megjithatë, pas rritjes së çmimit, Ministria e Financave e udhëhequr nga Hekuran Murati ka nënshkruar kontratë për konsulent për tatimin në pronë si mbledhje e detyrueshme e detyrimeve të tatimit në pronë.

Për këtë, Ministria e Financave do të paguajë 2 mijë e 400 euro.

Sipas kontratës së publikuar në Prokurim, Administrata Qendër, kontratën për konsulent e ka fituar Agron Çerkini. Ai do të paguhet nga 800 euro në muaj, për kontratën që do të zgjas 3 muaj.

Ndryshe, Demokracia.com ditë më parë ka publikuar raportin e vlerësimit të përgjithshëm të pronave rezidenciale të Komunës së Prishtinës.

Sipas këtij dokumenti, del se vlerësimi i pronave në Prishtinë është bërë nga Ministria e Financave, jo nga komuna e Prishtinës dhe komunat tjera.

Në vendimin e protokolluar më 31 tetor të vitit të kaluar, i cili i është dërguar Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, specifikohet ndryshimi i vlerësimit të pronës.

Demokracia.com, po ashtu, ka publikuar ekskluzivisht raportin e vlerës së tatimit në pronë për secilën lagje të Prishtinës, qytet dhe rrethinë. /Demokracia.com/

LEXO EDHE:

TATIMI NË PRONË| Banorët e Marigona Hill do të paguajnë më lirë se banorët e Zllatarit dhe Matiqanit (Dokument)

Të ngjashme