Lajme
DOKUMENT | Hekuran Murati ia zgjatë punën shokut të babait të tij në ministri, ia rrit edhe pagën
Demokracia
14:09 | 22 Maj 2024

Share:

Institucionet publike po vazhdojnë të punësojnë persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje nëpërmjet procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik, shkruan Demokracia.com.

Pasi i kishte skaduar kontrata tremujore, Agron Çerkini është ripunësuar përsëri me tender në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, që udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ai në këtë ministri ishte punësuar edhe vjet, ndërkohë mediat patën raportuar se Çerkini është shok me Muhamet Muratin, babain e ministrit Hekuran Murati.

Muhamet Murati (babai i Muratit) ka shoqëri me Çerkinin. Ata dalin edhe për të pirë kafe së bashku.

Në anë e majtë babai i Hekuran Muratit dhe në anën e djathtë Agron Çerkini

Në vitin e kaluar, ai ishte angazhuar me tender të negociuar vetëm për tre muaj në këtë ministri, me një pagë prej 800 euro në muaj. Tash është ripunësuar për 10 muaj, me një pagë rreth 1000 euro në muaj. “Angazhimi i një eksperti të bujqësisë”, kështu quhet kontrata që ai do ta lidh me ministrinë e Hekuran Muratit.

Në vitin e kaluar, emri i pozitës së tij tenderuese ka qenë “Konsulent për tatimin në pronë, mbledhje dhe mbledhje të detyrueshme të tatimit në pronë”.

Megjithëkëtë, edhe këtë herë pozita e tij bie tek Divizioni i Vlerësimit të Pronave të Paluajtshme.

Sipas dosjes së tenderit, ai për qëllim tatimi bazuar në kornizën ligjore kryejnë në tërësi procesin e vlerësimit për kategoritë e pronave bujqësore dhe pyjore (tokë dhe objekte); Propozon dhe jep mendimin profesional për vlerësim të ri të këtyre kategorive të pronave bujqësore dhe pyjore, etj.

Qytetarët e Komunës së Prishtinës ishin ankuar për rritje të çmimit të tatimit në pronë. Komuna kishte thënë se rritja e tatimit është bërë për shkak të rivlerësimit të pronave nga Ministria e Financave, teksa kjo e fundit ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat. Ndërsa, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), përmes një reagimi kishte sqaruar se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja kishte thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

Megjithatë, pas rritjes së çmimit, Ministria e Financave e udhëhequr nga Hekuran Murati kishte nënshkruar kontratë për konsulent për tatimin në pronë si mbledhje e detyrueshme e detyrimeve të tatimit në pronë. /Demokracia.com/

Hekuran Murati abuzon me Ministrinë e Financave, ia bën një rrogë të mirë shokut të babait të tij

Të ngjashme