Lajme
DOKUMENT| Glauk Konjufca i çon mbi 97 mijë euro në bileta të avionit
Demokracia
21:02 | 20 Shtator 2023

Share:

Kuvendi i Kosovës e ka nënshkruar tenderin për blerjen e biletave për udhëtime me aeroplanë për nevojat e këtij institucioni. Ky tender kap vlerën e mbi 97 mijë eurove. Parashihet që me këto para të blihen afro 250 bileta.

 

Procedura e nisur muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës, për blerjen e disa biletave të avionit, tashmë ka përfunduar. Edhe tenderi që peshon jo më pak se 97 mijë euro është nënshkruar, shkruan Demokracia.com.

Kontrata mes Kuvendit dhe kompanisë fituese do të zyrtarizohet nesër.

“Shërbime të transportit ajror – bileta. Vlera e përgjithshme e kontratës 97,502.50 euro. Data e dhënies së kontratës 11.09.2023. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2023. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata: “AS TRAVEL CLUB “”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje tregohet se një biletë mund të kushtojë afro 400 euro, por kjo vlerë nuk është e saktë dhe se është bërë vetem për kalkulim të çmimeve.

“Vërejtje: vlera e biletës prej 390.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online”, sqarohet në dosje, përcjell Demokracia.com.

Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë të ditura relacionet e këtyre udhëtimeve. Mirëpo, është treguar se 50 për qind e këtyre shpenzimeve janë për udhëtimet e deputetëve, 20 për qind për udhëtimet e stafit politik dhe 30 për qind për stafin administrativ.

Kjo kontratë është paraparë për periudhën 12-mujore.

 

Ndërkohë, gjatë udhëtimeve jashtë vendit, deputetët e Kuvendit marrin edhe mëditje të majme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, deputetët kanë marrë mbi 27 mijë euro mëditje për udhëtime jashtë Kosovës. Deputetët e shumicës parlamentare kanë udhëtuar më së shumti jashtë vendit gjatë vitit 2022.

Afërsisht rreth 250 bileta të udhëtimit me aeroplanë për nevojat e Kuvendit të Republikës së Kosovës (50% janë shpenzime për udhëtimet e deputetëve, 20% të stafit politik dhe 30% të stafit administrativ) /Demokracia.com/.

DOKUMENT| Kuvendi i bën gati 100 mijë euro për biletat e udhëtimeve jashtë vendit 

 

Të ngjashme