Lajme
DOKUMENT | Gënjen Komuna e Prishtinës, pohon se procedura e tenderit që ia dhanë vëllait të Luan Dalipit s’ka përfunduar edhe pse kontrata është nënshkruar
Demokracia
11:57 | 26 Dhjetor 2023

Share:

Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga kryetari Përparim Rama, ka shpërblyer me kontratë kompaninë e themeluar nga Luan Dalipi, i cili është shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti. Deri në vitin e kaluar, Dalipi ka qenë nëpunës në “Manag&Development Assiciates LLC”. Në deklarimin e sivjetëm të pasurisë, ai shihet se i ka larguar aksionet dhe tash aty bashkëpronarë është vëllai i tij, Driton Dalipi. Komuna e Prishtinës ka pranuar të japë informacione lidhur me këtë tender, shkruan Demokracia.com.

Fiks 0.51 për qind ose gjysmë pike ka qenë dallimi në mes kompanisë fituese dhe kompanisë në garë që është radhitur në vendin e dytë. Duke parë këtë diferencë kaq të ngushtë, pothuajse e paparë në prokurimet publike, Demokracia.com ka kërkuar qasje në raportin e vlerësimit të këtij tenderi për të parë sesi janë mbledhur pikët në tenderin, i cili ka qenë më poentim.

Komuna e Prishtinës nuk ka lejuar qasje, duke pohuar se ai është dokument i brendshëm dhe nuk ka nevojë të jetë në dispozicion për palët e jashtme. Madje, prokurimi komunal ka gënjyer në përgjigjen e vet, duke thënë se procedura ende nuk ka përfunduar dhe se nuk është kontraktuar ende.

“Sipas kërkesës se parashtruar, gjeni ne vijim përgjigjen nga zyra e prokurimit: Si zyre e prokurimit ju njoftojmë se procedura ende nuk ka përfunduar, nuk është kontraktuar ende dhe pala qe ka kërkuar qasje nuk është palë e interesit ne këtë faze. Po ashtu Raporti i vlerësimit te cilin Pala e ka kërkuar është dokumente i brendshëm dhe nuk ka nevoje te jete ne dispozicion për palët e jashtme”, thuhet në përgjigjën e Komunës së Prishtinës, pas kërkesës për qasje në dokumente publike, konkretisht të raportit të vlerësimit për tenderin “Shërbime Këshilluese për Planifikim, Promovim dhe Funksionalizim të Parkut Industrial në Prishtinë”, më numër të prokurimit 61622-14652-312.

Demokracia.com ka parashtruar kërkesë në Komunën e Prishtinës më 21 dhjetor, ndërsa komuna ka kthyer përgjigje sot, më 26 dhjetor.

Dokumentet e siguruara nga Demokracia.com e vërtetojnë të kundërtën. Komuna e Prishtinës dhe kompania “Manag&Development Assiciates LLC”, kanë nënshkruar kontratë më datë 22 dhjetor. Nënshkrimi aty është vendosur nga udhëheqësi i prokurimit Visar Shehu dhe pronari i kompanisë, Driton Dalipi.

Demokracia.com gjatë ditës së sotme i është drejtuar edhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të parë nëse raporti i vlerësimit të këtij tenderi është dokument i klasifikuar, pasi komuna nuk ka lejuar qasje në të.

Para pak ditëve, Demokracia.com ka raportuar se “Manag&Development Assiciates LLC”, me nënkontraktor “ABKONS” ka dalë fituese e tenderit “Shërbime Këshilluese për Planifikim, Promovim dhe Funksionalizim të Parkut Industrial në Prishtinë”. Çmimi i ofertës ka qenë fiks 389,754.00 euro ose rreth 40 mijë euro më shumë se oferta tjetër e përgjegjshme e “Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë Insi”, më çmim prej 349,890.00 euro.

Përkundër këtij fakti, komuna ka vendosur që ta shpërblejë me kontratë kompaninë në të cilën deri në vitin e kaluar kishte marrë pagë edhe Luan Dalipi.

Arsyeja pse komuna ka menduar ta shpërblejë me kontratë një ofertë me çmim më të shtrenjtë është proceduar me tenderin ekonomikisht më i favorshëm, që është bërë me ‘poentim’. Është vlerësuar çmimi dhe ana teknike e ofertës. Çmimi është vlerësuar më 20 pikë. Por, është shumë dyshues rezultati pas mbledhjes së pikëve, sepse oferta e MDA që ka qenë me çmim më të lartë, ka marrë 85.84 pikë, ndërsa oferta tjetër 85,33 pikë. Një diferencë kaq e ngushtë rrallë se shihet në prokurimet publike me poentim, ku dallimin e bënë një gjysmë pike dhe në këtë diferencë mbetet të shihet sesi është bërë vlerësimi i anës teknike, sepse jo rrallëherë manipulimet ndodhin bash te ky lloj i vlerësimit.

“Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë Insi” nuk ka bërë kërkesë për rishqyrtim (ankesë) në këtë rast. Kjo kompani është rekomanduar nga Komuna e Prishtinës për kontratë në ditën e njëjtë për një tjetër tender. Bëhet fjalë për tenderin “Masterplani për rigjenerimin i lagjes Kolovicë-Ritender”. Çmimi i kompanisë fituese është 169, 000.00 euro.

Nga ana tjetër, lidhur me tenderin “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë”, këtu komuna dëshiron të angazhojë një kompani konzorcium këshillues, i cili do t’i ofrojë shërbime këshilluese komunës përmes profesionistëve të fushave specifike për themelimin, promovimin, digjitalizimin dhe funksionalizimin e Parkut Industrial me qëllim të joshjes së investimeve të huaja direkte.

Para tre muajve, Luan Dalipi dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë qenë bashkëpjesëmarrës në një event të organizuar në Mynih të Gjermanisë. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen në Electric Mobility LLC në IAA Mobility 2023.

Shefi i stafit në Zyrën e Kryeministrit, Luan Dalipi, gjatë vitit 2021 krahas detyrave në Qeveri kreu punë edhe tek një biznes privat. Fiks 6 mijë euro janë të hyrat vjetore që ka realizuar Dalipi si konsulent, në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë.

Këto të hyra, Dalipi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë, mirëpo ai nuk i ka treguar punët që ka kryer gjatë kësaj kohe në MDA dhe projektet për të cilat ka qenë i angazhuar.

Edhe në vitin e kaluar ka deklaruar që ka punuar si konsulent në këtë kompani, ndërsa në këtë vit nuk ka bërë një deklarim të tillë. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

Të ngjashme