Lajme
DOKUMENT | Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ngrit shqetësime rreth Projektligjit për Gjykatën Administrative
Demokracia
09:04 | 20 Prill 2024

Share:

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 dorëzon deklaratë në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, përmes së cilës shprehin shqetësimet lidhur me Projektligjin për Gjykatën Administrative.

Deklarata thekson ndikimin potencial në rastet administrative dhe fiskale të komunitetit të biznesit, në rast të transferimit të kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën e re Administrative.

Në deklaratën e dorëzuar, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 thekson rëndësinë e garantimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm ligjor për zhvillimin e sektorit privat. Gjykata Komerciale tashmë ka arritur një shkallë mbi 96% të zgjidhjes së rasteve. Kjo arritje nxjerr në pah efikasitetin e strukturës së tanishme në trajtimin e kontesteve të bizneseve në mënyrë efikase.

Propozimi për transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative shkakton shqetësime të konsiderueshme në komunitetin e biznesit, veçanërisht në lidhje me garantimin e parimit të sigurisë juridike në vend. Një veprim i tillë, përveç që do të minonte punën e Gjykatës Komerciale deri më sot, i njejti do të ndikonte edhe në humbjen e qëllimit të vet krijimit të Gjykatës Komerciale, si një adresë e vetme për të gjitha kontestet e komunitetit të biznesit.

Për më shumë, në deklaratë theksohet se parimi i sigurisë juridike nënkupton që korniza dhe garancitë ligjore të mos pësojnë ndryshime të shpeshta; të jenë të nevojshme dhe të bazuara në evidencë; si dhe të derivojnë nga procese konsultative me të gjitha palët e interesit. Njëherësh, çfarëdo largimi i kompetencave nga Gjykata Komerciale, do të ndikonte negativisht dhe do shpërfillte angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë në fuqizimin e mekanizmave të drejtësisë komerciale, si dhe në kontekst të përmirësimit të perceptimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 i kërkon Komisionit Parlamentar për Legjislacion që të shqyrtojë me kujdes shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohet per nje dialog konstruktiv për t’i trajtuar këto çështje në mënyrë efektive.

Të ngjashme