Lajme
DOKUMENT | “Çlirimtarit” të Shtimes i bllokohet tenderi 100 mijë euro, ekspertja e OSHP-së gjeti dallavere
Demokracia
20:09 | 29 Janar 2024

Share:

Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk po mblidhet që të shqyrtojë një raport të ekspertes së tyre, e cila ka konstatuar se Komuna e Shtimes e ka shkelur ligjin në një tender që peshon 120 mijë euro. Kjo pasi është konstatuar se kompania fituese nuk e plotëson kërkesën që e ka vendosur vetë komuna për qarkullimin bankar në tri vitet e fundit për punët e kryera, shkruan Demokracia.com.

Më 5 tetor, Komuna e Shtimes ka hapur tender për “Asfaltimi i rrugëve në parkun e biznesit në Gllavicë”.

Me tu hapur ofertat është konstatuar se kanë qenë në garë tre ofertues. Fitues të tenderit janë shpallur konzorciumi LEDI ING SH.P.K.; LEDI ING – 2 SH.P.K, me çmim të ofruar prej 100,000.00 euro.

Menjëherë njëra nga kompanitë garuese u ankua tek komuna se Zyra e Prokurimit favorizoi kundërligjshëm kompaninë që e shpalli fituese. Ankesa iu refuzua dhe pastaj ajo është ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Lëndën në trajtim e mori ekspertja Blerina Huruglica, e cila e ka shoshitur rastin veç dy ditë. Ajo gjeti shkelje nga ana e komisionit vlerësues të tenderit dhe e rekomandoi Panelin e OSHP-së që ta anulojë njoftimin për dhënie të kontratës, si dhe lëndën ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.

Por, ndonëse Huruglica e ka dorëzuar raportin e saj më 22 nëntor 2023, Bordi i OSHP-së akoma nuk është mbledhur për ta shqyrtuar atë. Kësisoj është bllokuar edhe ky tender i Komunës së Shtimes.

Çfarë favorizimi gjeti ekspertja e OSHP-së?

Demokracia.com ka parë këtë raport, në të cilin është konstatuar se komuna e ka shkelur ligjin kur e ka rekomanduar për kontratë LEDI ING SH.P.K.; LEDI ING – 2 SH.P.K.

Komuna e Shtimes në dosje të tenderit ka kërkuar që: Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kënaqshme Autoritetit Kontraktues se qarkullimi i OE, gjatë tri viteve të fundit financiare, është jo më pak se 240,000.00 euro. Konfirmim nga banka për qarkullim për tri vitet e fundit financiare apo deklaratat e tatimeve vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës.

“Tutje, në ofertën e OE të rekomanduarit gjenden dy qarkullime në dy banka të ndryshme, njëra është nga Raiffaisen bank – gjendje e llogarisë që posedon qarkullimin 63.539 euro, ndërsa tjetra është dëshmia nga Banka Ekonomike, e cila ka të përmbledhur gjendjen në një raport, e cila konsideroj se duhet të sqarohet gjatë procesit të rivlerësimit, konform nenit 72 të LPP-së, për faktin se, nuk mund të vërtetohet qarkullimi në formën e tillë, pa i verifikuar përmes pasqyrave financiare bankare, ose deklaratat nga ATK. Andaj pretendimi i OE ankues gjendet pjesërisht i bazuar”, thuhet në përgjigjen e ekspertes së OSHP-së.

Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim.

Deri sa të marrë një vendim Bordi OSHP-së, kjo lëndë do të mbetet pezull, ndërkohë që komuna e ka bërë pezullimin e procedurës. /Demokracia.com/

Të ngjashme