Lajme
DOKUMENT | Amerika “ndëshkon” liderët shtetërorë, “Defender ’23” u anulua në ditën kur ishte planifikuar vizita e Osmanit, Konjufcës dhe Bislimit
Demokracia
20:17 | 30 Maj 2023

Share:

Aktiviteti më i rëndësishëm për ushtrinë e Kosovës në kuadër të ushtrimit të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2023” është anuluar. Krejt kjo për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit dhe mosbashkëpunimit të Qeverisë Kurti me ndërkombëtarët.

Pasojat e vendimeve të Qeverisë Kurti tashmë vetëm kanë filluar. Me kërkesë të ndërkombëtarëve është anuluar aktiviteti më i rëndësishëm, të cilin FSK-ja ka vite që po e priste.

Kjo është konfirmuar edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ai gjatë një takimi me gazetarë ka thënë se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023 është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Demokracia.com ka publikuar sot në mëngjes e-mailin për anulimin e këtij aktiviteti.

E ky aktivitet është anuluar pikërisht në ditën kur liderët shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do t’i vizitonin ushtarët që po e kryenin këtë ushtrim.

Sipas ftesës së Ministrisë së Mbrojtjes, sot presidentja Vjosa Osmani do t’u adresohej pjesëmarrësve (ushtarakëve) në “Defender Europe ‘23”.

Po ashtu, pjesëmarrës në këtë ceremoni do të ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri Besnik Beslimi, ministri Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, si dhe personalitete të shquara nga SHBA, Shqipëria dhe partnerë të tjerë strategjikë.

Në mëngjesin e së martës, Demokracia.com ka raportuar se ky aktivitet shumë i rëndësishëm është anuluar.

“Ju informojmë se për shkak të situatës në veri të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane për Evropë dhe FSK-në është marrë vendim që të anulohet aktiviteti ushtarak “Defender Europe 2023″”, thuhet në njoftimin që e publikoi sot Demokracia.com.

Demokracia.com ka mësuar se anulimi i këtij aktiviteti është bërë me kërkesë të Ushtrisë Amerikane për Evropë, U.S. Official (USAREUR-AF or EUCOM).

Ndryshe, që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e sivjetme. Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 25 ushtarë të KFOR-it.

Kosova është nikoqire e “Defender Europe 23”, ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar në të cilin po marrin pjesë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa. Ky aktivitet ka nisur më 22 maj e pritet të zgjasë deri më 2 qershor. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

DOKUMENT| Pasojat e para, amerikanët anulojnë aktivitetin që FSK e kishte pritur me vite

 

Të ngjashme