Lajme
DOKUMENT| Albulena Haxhiu e bëri anëtare të Panelit për Lirim me Kusht në KGJK të emëruarën e besueshme të saj
Demokracia
19:17 | 04 Mars 2023

Share:

Albulena Haxhiu po i vazhdon emërimet sipas tekeve të saj, pa i përfillur procedurat ligjore.

Haxhiu së fundmi e ka emëruar udhëheqësen e Divizionit për Gjykatën Speciale, Argjira Asllanin, si anëtare të rregullt edhe në Panelin për Lirim me Kusht në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

DOKUMENT| Argjira Asllani emërohet udhëheqëse e divizionit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale

Për ta ushtruar këtë detyrë, zyrtari nuk duhet të jetë një i emëruar siç është znj. Asllani, por dikush që i ka kaluar të gjitha procedurat e rekrutimit për t’u bërë pjesë e institucionit.

Demokracia.com ka siguruar vendimin për emërimin e udhëheqëses së divizionit edhe në këtë pozitë të re.

“Znj. Argjira Asllani, emërohet anëtare e rregullt e Panelit për Lirim me Kusht në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Sipas vendimit, mandati i saj do të jetë dyvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Demokracia.com ka pyetur në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me emërimin e saj në këtë pozitë të re.

Nga ministria e Albulena Haxhiut e kanë konfirmuar emërimin e Asllanit si anëtare e Panelit për Lirim me Kusht.

“Bazuar në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është në diskrecionin e Ministrit të vendos për përfaqësuesin e Ministrisë së Drejtësisë në Panelin për Lirim me Kusht. Znj. Asllani është e diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, si dhe ka mbaruar Provimin e Jurisprudencës në vitin 2019, rrjedhimisht i plotëson kushtet për të qenë anëtare e panelit për lirim me kusht sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com.

Megjithatë, nga të dhënat e publikuara nga Asllani në rrjetet sociale shihet se ajo ka magjistruar në fushën civile, ndërsa bazuar në legjislacionin që e rregullon këtë çështje, zyrtari i dërguar nga Ministri i Drejtësisë duhet të jetë njohës i fushës penale.

Po ashtu, Asllani fillimisht ka qenë e emëruar si zyrtare e divizionit për të akuzuarit e ZPS-së, më pas është emëruar si udhëheqëse aty dhe nuk i është nënshtruar procedurave të regullta të rekrutimit si zyrtare.

Ministrisë së Albulena Haxhiut muaj më parë i kishte plasur edhe skandali i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që humbi jetën në burg.

Ndërsa, në muajin shkurt, Haxhiu e kishte punësuar në divizionin e udhëhequr nga Argjira Asllani edhe gruan e frizerit të saj, e cila pas raportimit të Demokracia.com kishte dhënë dorëheqje.

Ministria e Haxhiut tha për Demokracia.com se dorëheqja e saj erdhi për shkak të gjendjes shëndetësore të vajzës së saj.

EKSKLUZIVE| Albulena Haxhiu i bën favor frizerit të saj, ia punëson gruan në Ministrinë e Drejtësisë (Dokument)

Edhe bashkëshorti i ministres Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi, ditë më parë u rehatua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme