Lajme
DOKUMENT | Albulena Haxhiu bëhet koordinatore, Kurti ia beson një pozitë tjetër të rëndësishme
Demokracia
13:53 | 07 Nëntor 2023

Share:

Javë më parë, Kuvendi Kosovës ka miratuar Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në bazë gjinore. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, sot është emëruar Koordinatore Kombëtare për të zbatuar direktivat që dalin nga ky ligj, shkruan Demokracia.com.

Vendimin e ka marrë sot kryeministri Albin Kurti.

Në vendim që e ka siguruar Demokracia.com shkruan se detyrat dhe përgjegjësitë e Koordinatores Kombëtare kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore janë të përcaktuara me Ligjin Nr. 08 /L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në bazë gjinore, si dhe legjislacionin tjetër në fuqi.

Ligjin Nr. 08 /L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në bazë gjinore është miratuar nga Kuvendi Kosovës para pak javëve, ndërsa ka hyrë në fuqi më 12 tetor 2023.

Ky ligj ka për qëllim të parandalojë dhe trajtojë dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, të mbrojë dhe të kontribuojë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, si dhe të ndërtojë mekanizmat e nevojshëm për ofrimin e mbështetjes ndaj viktimave të të gjitha formave të dhunës të rregulluara me këtë ligj.

Koordinatorja Kombëtare udhëheq procesin e hartimit dhe dorëzon në Qeveri për miratim Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje. /Demokracia.com/

Të ngjashme