Lajme
DOKUMENT| Albin Kurti i çon 124 mijë euro në marketing dhe ceremoni festive
Demokracia
13:20 | 09 Gusht 2023

Share:

Zyra e kryeministrit Kurti e ka shpallur një tender në vlerë të 124 mijë eurove për marketing dhe shërbime të skenografisë për raste ceremoniale dhe festive. Është bërë me dije se me këto para do të kryhen 42 lloje të shërbimeve. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke bërë plane që gjatë muajve të ardhshëm të bëjë paraqitje “dinjitoze” në publik.

Madje, për këtë nuk është duke i kursyer as paratë e taksapaguesve kosovarë.

Për marketing dhe shërbime ceremoniale e festa është shpallur një tender në vlerë të 124 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të shtypjes, marketingut dhe shërbime të skenografisë për raste ceremoniale dhe festive. Vlera e parashikuar e kontratës: 124,000.00 euro. Sasia apo fushëveprimi i përgjithshëm, 42 lloje të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje është treguar se shërbimet dhe dërgesat për këtë tender do të kryhen vetëm pas dhënies së urdhrit për blerje.

“Dërgesat do të kryhen vetëm pas dhënies së “urdhër blerjes” që do të lëshohet nga Autoriteti Kontraktues, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate publike kornizë. Kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej: 24 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi”.

Në dosjen e tenderit është treguar për disa nga produktet që do të blihen dhe shërbimet që do të kryhen.

Nuk do të mungojnë as fotot e Presidentes së Kosovës. Do të bëhet edhe shtypja e broshurave të ndryshme. Po ashtu është paraparë edhe marrja me qira e gjerave të ndryshme.

Për këtë tender, kompanitë e interesuar kanë kohë të aplikojnë deri në fund të këtij muaji.

“Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 31.08.2023”./Demokracia.com/

Të ngjashme