Lajme
DOKUMENT | Administrata e Përparim Ramës i shpenzon 17 mijë euro mbushje telefonike për një muaj
Demokracia
21:20 | 07 Mars 2024

Share:

Në Komunën e Prishtinës nuk po ndalen telefonat mobilë gjatë gjithë ditës. Kështu mund të konstatohet, nëse shikohen shpenzimet që po i paguan komuna për këtë shërbim, shkruan Demokracia.com.

Mijëra euro në muaj po shpenzon Komuna e Prishtinës për mbushjet telefonike.

Është e rëndësishme që shpenzimet të jenë proporcionale me nevojat dhe buxhetin e disponueshëm për të siguruar që resurset përdorën në mënyrë efikase dhe në përputhje me detyrat. Por, nëse shikohet shuma e shpenzuar në muajin shkurt të këtij viti, nuk mund të imagjinohet se për çfarë punësh u përdorën telefonat.

Rreth 17 mijë euro është shuma e parave që komuna e Përparim Ramës ka shpenzuar veç për telefona mobilë ose rreth 23 mijë euro përfshirë edhe atë kabllorë.

Demokracia.com ka parë raportin e shpenzimeve buxhetore të muajit të kaluar të Komunës së Prishtinës. Aty një shumë në vlerë prej 15,259.63 euro figuron të jetë paguar në emër të shpenzimeve të telefonisë mobile. Kjo shumë figuron në kodet buxhetore të Drejtorisë së Administratës.

Edhe drejtoritë e tjera kanë paraqitur shpenzime të telefonisë mobile, por në shuma më të vogla. P.sh, Drejtoria e Shëndetësisë për telefonë mobilë ka shpenzuar 877.75 euro. Një kod tjetër buxhetor i quajtur ‘shpenzime telefonike’, në shëndetësi e ka shumën prej 1481 euro.

Drejtoria e Shërbimeve Sociale ka shpenzuar 404.08 euro për mbushje telefonike.

Në emër të Drejtorisë së Administratës ekziston edhe një kod buxhetor i veçantë, i cili quhet “shpenzime telefonike” dhe aty është paraqitur shuma 5905 euro. Kjo shumë duket të jetë për telefonat kabllorë.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, siç ka parë Demokracia.com, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar shumë pak para për telefoninë mobile ose rreth 8000 euro.

Nga viti në vit, Prishtina është duke e rritur buxhetin për telefonë.

P.sh, gjatë vitit 2023, shpenzime për telefonë janë paguar 112 mijë euro. Në vitin 2022, 83 mijë euro, ndërsa në vitin 2021 janë paguar 74 mijë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme