Lajme
Dodik: Gjermania do falimentojë më shpejt se Republika Srpska
Demokracia
15:23 | 21 Nëntor 2023

Share:

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se gjoja po përpiqen ta menaxhojnë BeH “si një fuqi koloniale”, teksa ka shtuar se situata në RS “është më e mirë se në Gjermani”.

“Gjermania do të falimentojë më shpejt se Republika Srpska”, ka deklaruar Dodik.

Këto komete, Dodik i bëri gjatë një konference për media në Banja Llukë, ku shpalli edhe një herë shpërbërjen e BeH-së, derisa pretendoi se 28 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), “është provë e mjaftueshme se BeH nuk mund të funksionojë”, duke parashikuar se në atë skenar vetëm RS “do të mbijetonte si një njësi e pavarur”.

Sipas tij, Marrëveshja e Dejtonit, si themel i BeH së sotme, “në fakt ka dështuar, pra se prej saj kanë mbetur vetëm fragmente”.

“Nuk ka asnjë arsye që ne të ndalemi sot në Marrëveshjen e Dejtonit dhe të bëjmë të njëjtin gabim që bëri Serbia pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë duke e mbrojtur atë deri në fund, ndërsa akuzohet se e ka thyer atë”, theksoi Dodik, transmetojnë mediat boshnjake.

Prandaj, vlerësoi i sanksionuari i SHBA-së, “zgjidhja më e mirë është shpërbërja paqësore”.

Tutje, presidenti autoritar i RS-së ka pretenduar se kundër tij është vetëm “administrata koloniale”, e udhëhequr nga ShBA dhe Britania e Madhe, porse shpreson se zgjedhjet presidenciale në Amerikë vitin e ardhshëm, si dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian, mund ta ndryshojnë këtë.

“Do të ketë zgjedhje në SHBA dhe BE dhe njerëz me të cilët do të mund të flasim”, pohoi Dodik, derisa nuk e fshehu simpatinë e tij për ish-presidentin e ShBA-së, Donald Trump.

Ndonëse përpiqet që t’i injorojë, autoritari Dodik e pranoi se politika e sanksioneve “të nxitura” nga ShBA-të krijojnë probleme për RS, për shkak se krijon probleme tek ky entitet për të hyrë në tregjet financiare perëndimore, por ai gjithashtu pretendon se kjo nuk ka ndikuar në stabilitetin e përgjithshëm financiar.

Të ngjashme