Lajme
Djegia e veturave me targa RKS dhe sulmi ndaj zyrtarëve policorë, a po përsëritet skenari i vitit të kaluar?
Demokracia
12:41 | 04 Prill 2023

Share:

Disa vetura me targa RKS janë djegur gjatë javës së kaluar, derisa ka ndodhur edhe një sulm me mjet shpërthyes ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës.  Për zjarrvënien e tri veturave në Zubin Potok është arrestuar një serb, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Lista Serbe ka kërkuar lirimin e të dyshuarit, në të kundërtën ka paralajmëruar kryengritje. Ndërsa djegien e veturave e kanë dënuar ambasadorët Rohde dhe Hovenier.

Tri vetura janë djegur të enjten e javës së kaluar në Zubin Potok dhe tri të tjera në Leposaviq.

Për zjarrvënien e veturave në Zubin Potok, të shtunën Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, Milovan Bozovic. Përpos djegies së veturave, ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj

“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore. Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit… I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhej në njoftimin e PK-së.

Ndërsa, në Leposaviq, njëri rast ka ndodhur rreth orës katër të mëngjesit në afërsi të një çerdhes së fëmijëve. Vetura e djegur me targa RKS ka djegur edhe një veturë tjetër që ka qenë e parkuar me targa të Beogradit dhe vetura e tretë që është djegur ka qenë afër qendrës së sporteve dhe kishte targa RKS.

Përveç tyre, në orët e para të së dielës në Mitrovicën e Veriut është shënuar edhe një incident tjetër. Atje zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar me mjet shpërthyes.

“Me datë 02.04.2023 rreth orës 02:20, gjatë natës, në rrugën “Ivo Llola Ribar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve,  në drejtim të zyrtarëve policor që ndodheshin në detyrë zyrtare (njësia në pikë statike), nga persona deri tani të panjohur është hedhur një mjet i dyshuar shpërthyes. Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policor është – Shok Bombë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës rreth numrit të incidenteve dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme për numrin e veturave që kanë konvertuar targat në RKS, por asnjëri institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Djegia e veturave u dënua nga ambasadorët

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka quajtur shqetësues faktin që Lista Serbe nuk i ka dënuar djegiet e veturave të  qytetarëve serbë në veri, të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS.

“Pse? Shumë shqetësues fakti që Lista Serbe sërish nuk i ka dënuar zjarrvëniet në automjetet e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për ta dënuar këtë praktikë”, ka shkruar Rohde në Tëitter.

Ndërsa, ambasadori Hovenier, ka thënë se SHBA-të e kanë dënuar vazhdimisht djegien e vetyrave në Veri.

“SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, ka shkruar Hovenier.

Kërcënimi i Listës Serbe

Pas arrestimit të Bozovic, ka reaguar Lista Serbe.

Përmes një njoftimi, kjo parti ka kërkuar lirimin e tij, duke kërcënuar me kryengritje nëse ndodh e kundërta.

“Pasi që mblodhëm të dhëna rreth rrëmbimit të sotëm të një serbi nga ana e njësiteve speciale të Kurtit, duam të njoftojmë se populli serb e paralajmëron Prishtinën që në rast të moslirimit të të arrestuarit në mënyrë të pabazë, të cilin sot e rrëmbyen njësitet e Kurtit në veri të Kosovës dhe nëse nuk ndalohet me maltretimin e popullit serb, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve. Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit të Albin Kurtit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

A po përsëritet skenari i fundvitit 2022?

Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, serbët kishin vendosur pengesa nëpër rrugët e Veriut në shenjë proteste për arrestimin e ish policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Këto barrikada u mbajtën në rrugë për rreth 20 ditë dhe gjatë kësaj kohe ishte regjistruar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.

Tensionet e vitit të kaluar bënë që të shtyhen zgjedhjet që ishin paraparë të mbahen më 18 dhjetor. Këto zgjedhje do të mbahen më 23 prill, pas vendimit të presidentes Osmani për t’i shtyrë ato.

Kujtojmë që njëjtë si në dhjetor, as tash, Lista Serbe nuk ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetarë të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Të ngjashme