Lajme
Dita e parë | Dështon të fillojë regjistrimi i popullsisë, shfaqen probleme me sistemin
Demokracia
19:37 | 05 Prill 2024

Share:

Mijëra regjistrues, që sot dolën në terren gjithandej Kosovës për të filluar regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare, janë detyruar të kthehen mbrapsht pa filluar procesin e shumëpritur.

Qysh në ditën e parë të këtij procesi janë shfaqur probleme me sistemin, i cili pranon të dhënat nga terreni që dërgohen nga regjistruesit përmes tablet pc-ve, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com ka mësuar nga disa regjistrues nga regjioni i Prishtinës se ky sistem nuk ka funksionuar dhe ka detyruar Agjencinë e Statitstikave të Kosovës që të ndërpresë punën e nisur, pasi asnjë intervistë nuk është arritur të realizohet.

“Për shkak se nuk ka funksionuar sistemi sot nuk kemi arritë që të bëjmë ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Kemi marrë njoftim me telefon që ta ndërpresim punën deri në një njoftim të ri”, ka treguar për Demokracia.com një nga regjistruesit.

Deri më tani, ASK nuk dhënë asnjë informatë se si ka shkuar procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në ditën e parë. Ky proces është planifikuar të zgjasë deri më 17 maj dhe nuk dihet nëse këto problem do ta ndryshojnë prapë datën e planifikuar.

Sipas njoftimeve të mëhershme nga ASK, nga data 5 prill deri më 10 prill 2024, punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat e banimit ku do të shpërndajnë materialet si: fletëpalosje, letra informuese dhe për të njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm.

Sot fillon regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Procesi i regjistrimit të popullsisë ishte planifikuar të zhvillohej gjatë vitit të kaluar, por Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që ta shtyjë këtë deri në prill të këtij viti. Arsyetimi zyrtar që ishte dhënë kishte të bënte me mungesën e përgatitjes së gjithmbarshme që siguron suksesin e këtij procesi.

Megjithkëtë, mungesa e tabletëve për t’u përdorur nga regjistruesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk është arsyeja e vërtetë, e cila u përdorë nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij për ta shtyrë përfundimisht regjistrimin e popullsisë për në muajin prill të vitit 2024.

Të dhënat e frikshme që kryeministri Albin Kurti i ka pranuar nga vlerësimet e ASK-së për popullsinë rezidente (të pranishme) në Republikën e Kosovës, janë arsyeja kryesore që ka e shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë vendimin për të shtyrë regjistrimin e popullsisë, duke regjistruar kështu një nga dështimet më të mëdha të radhës së ekzekutivit kosovar.

Demokracia.com kishte raportuar më 30 nëntor 2023, duke u mbështetur në burime nga njerëz të afërt me kryeministrin Kurti dhe me procesin e regjistrimit të popullsisë se sipas të dhënave në Kosovë, vlerësimeve të ASK-së, numri i qytetarëve rezidentë ka rënë ndjeshëm, në hiç më shumë se rreth 1.4 milionë banorë, nga rreth 1.8 sa jetonin në Kosovë para ardhjes së Kurtit dhe Vetëvendosjes në pushtet. / Demokracia.com /

Lexo më shumë për këtë temë:

“Dështim i madh”: Jo veç në libra, Qeveria dështon edhe në fillimin e procesit e regjistrimit të popullsisë

Rreth 400 mijë njerëz ikën nga Kosova | Statistikat e frikshme që Albin Kurti i fshehu me shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për t’ia lënë fajin liberalizimit

Të ngjashme