Lajme
Diplomatët të shqetësuar me deklaratat kundër gjyqësorit, Bislimi thotë se me to “certifikohet mosndërhyrja”
Demokracia
16:13 | 24 Janar 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot në një konferencë të përbashkët për media me ministrin çek, ka folur pas reagimeve ndërkombëtare për kritikat e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, që i bëri në fillim të këtij muaji. Përveç tij, edhe disa qeveritarë të tjerë adresuan kritika.

Një mesazh që të mos ndikojnë në punët e gjyqësorit iu erdhi nga ambasadorët e vendeve mike në Kosovë nga një takim që disa prej tyre zhvilluar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”, ka deklaruar dje shefi i BE-së, Tomas Szunyog.

Reagimit të Szunyog iu bashkua edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili tha se kështu s’hapen dyert për Këshill të Europës dhe Bashkim Europian.

“Sundimi i ligjit “à la carte” nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Europës as Bashkimit Europian. Mbështetja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit europian është e përzemërt, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”.

Por, Bislimi mohon kategorikisht se Qeveria po i fut duart në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, ai thotë se derisa Qeveria s’po e bën këtë, po e bën dikush tjetër nga brenda apo jashtë Kosovës.

“Sa i përket brengave për ndërhyrje në drejtësi, mendoj që unë si zëvendëskryeministër i kam dy mundësi; ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralelë dhe ndikoj në vendimin e tyre atëherë nuk ka nevojë të deklarohem publikisht sepse kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi dhe kam orientuar vendimin andej kah unë mendoj se duhet të shkojë; ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi unë deklarohem publikisht për brengat që kam.  Çdo deklarim publikisht i imi për problemet me sistemin e drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi, sepse tregojnë se unë kam një pakënaqësi dhe unë s’e kam zgjedh mënyrën e ndërhyrjes Por, jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi është rezultat i mosndërhyrjeve”, tha Bislimi.

Bislimi tha se dëshirë e tij është gjyqësori të funksionojë i pavarur.

Pyetja që duhet ta bëni ju është sa janë të pavarura gjykatat tona. Është shumë e qartë që gjykatat në Kosovë janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Në qoftë se jo, pyetja që duhet të shtroni nga kush varen gjykatat tona? Kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat? Nëse unë kritikoj një vendim, unë kritikoj bash pse nuk është i pavarur ai vendim. Unë do të doja që gjykatësi të vendosë vetëm në bazë të elementëve, pa ndërhyrje nga jashtë. Qoftë kjo jashtë nga brenda Kosovës apo nga jashtë Kosovës”.

Zëvendësi i parë i kryeministrit Kurti pati edhe një mesazh për ata që shprehën kundërshti për çështjen e ndalesës së përdorimit të valutës së dinarit.

“Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë “cherry picking” [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë “cherry picking”, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.

Të ngjashme