Lajme
Dhjetë ditë nën sanksione| Përjashtimi nga “Defender Europe”, anulim vizitash dhe anulimi i një konference të donatorëve
Demokracia
13:10 | 10 Qershor 2023

Share:

Paralajmërimet e SHBA-së së Kosova do të përballet me pasoja për shkak të situatës në veri kanë filluar të zbatohen në praktikë shumë shpejt. Më 30 maj, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jefrey Hovenier, kishte dhënë lajmin se Kosova është përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe”. Ky nuk është ndëshkimi i vetëm që Kosova ka marrë nha SHBA-ja.

Brenda këtyre 10 ditëve kanë ndodhur edhe sanksione tjera. Gjatë kësaj jave, disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë u është anuluar vizita në SHBA-së, kurse një zyrtar i lartë amerikan ka shtyrë vizitën të cilën e kishte planifikuar ta realizonte në Kosovës.

LEXO EDHE: 

DOKUMENT| Pasojat e para, amerikanët anulojnë aktivitetin që FSK e kishte pritur me vite

Është raportuar se ndihmës sekretari Todd Robinson ka shtyrë vizitën e planifikuar për në Kosovë për shkak të tensioneve në veri. Në një përgjigje për Nacionalen, Ambasada Amerikane ka bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.

Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson e kishte të planifikuar një vizitë në Kosovë përgjatë këtyre ditëve.

E njëjta është shtyrë pas krizës në veri, ka konfirmuar një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë për Nacionalen.

“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – ka thënë ky zëdhënës.

Gjithashtu, gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë e kanë pasur të planifikuar një udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një trajnim lidhur me legjislacionin. Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit në veri dhe sanksioneve të paralajmëruara, ata nuk do të udhëtojnë drejt Amerikës.

Fjala është për Genc Nimonin, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Albert Selimi, zyrtar i lartë për koordinim të politikave. Nacionale ka mësuar se udhëtimi drejt Amerikës ishte planifikuar për të shtunën, por që Nimoni e Selimi nuk do të mund të jenë pjesë e këtij trajnimi.

Paralajmërimet e Jeff Hovenierit

Para disa ditësh, derisa në veri situata ishte tejet e tensionuar, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier kishte mbajtur një diskutim me disa prej gazetarëve në Kosovë.

Ai madje, kishte deklaruar se do të çuditej nëse kjo do të ndodhte në këtë situatë.

“Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas.” – kishte thënë ai.

Anulimi i konferencës së donatorëve

Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj ka mësuar se nuk do të ketë asgjë lidhur me konferencën e donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte planifikuar në Marrëveshjen Bazike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas burimeve të REL vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar që për momentin nuk ka vend për diskutime për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë.

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë parashihte që 150 ditë pas arritjes së ujdisë të organizohej një konferencë e donatoreve, e cila do të ndihmonte Kosovën dhe Serbinë.

Por, mbajtja e kësaj konference është lidhur me suksesin e zbatimit të marrëveshjes.

Situata në veri ka ndikuar në pengimin e zbatimit marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë paralajmëruar se nëse Kosova vazhdon të injorojë tri kërkesat e tyre për shtensionimin e situatës në veri, pritet që shteti i Kosovës të goditet edhe nga sanksione tjera.

Të ngjashme