Lajme
Detaje të reja, babai vrau të birin në Peran të Podujevës pas mosmarrëveshjeve për shitjen e mjeteve bujqësore
Demokracia
20:14 | 14 Qershor 2022

Share:

Shtëpitë i kanë shumë pranë, e afërsinë familjare edhe më të ngushtë. Por, familjen Ismajli nga fshati Peran i Podujevës e ka goditur një tragjedi e rëndë.

Kjo pasi që 50-vjeçari N. Ismajli dyshohet se ka vrarë djalin e tij 28-të vjeçar.

E gjithë ngjarja ka ndodhur pak më larg shtëpisë, në arat që janë pronë e kësaj familje.

“Në këtë vend dje rreth orës 18:00 ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur i vdekur një 28 vjeçar. I dyshuari është babai i viktimës i cili tashmë është arrestuar nga policia.”

Megjithëse nga familja e patën të pamundur të flasin para kamerës, vëllai i të dyshuarit, njëherësh xhaxhai i viktimës, e priti RTV Dukagjinin në oborrin e shtëpisë për të treguar një version të ngjarjes.

Ai ka demantuar lajmet se vrasja ka ndodhur për pronë, mirëpo ka pohuar se mosmarrëveshjet mes të dyve kanë qenë të mëdha e të kamotshme.

Sipas vëllait të dorasit, mosmarrëveshjet që kanë sjellë krimin e tmerrshëm, kanë ardhur si pasojë e një pasurie të përbashkët të babait dhe të birit e që ishin mjete bujqësore, traktor, kultivator, e mjete të tjera.

Sipas asaj që rrëfehet xhaxhai, viktima kishte tentuar ti shiste mjetet e përbashkëta pa lejen e prindit, dhe për këtë rasti kishte shkuar deri në polici.

Megjithatë asnjëri nga ta nuk ishte ndaluar ndonjëherë nga policia, gjë që u kritikua shumë nga familjari.

Ndërkohë, nga Policia përveç konfirmimit në raportin 24 orësh nuk kanë pranuar të deklarohen, pasi që sipas tyre faza aktuale i përket prokurorisë.

Deri tani prokuroria nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtarë për këtë rast.

I dyshuari për këtë vrasje tashmë është arrestuar dhe pritet që të kërkohet masa e paraburgimit ndaj tij.

Nga ana tjetër avokati Anton Nrecaj thotë se çdo vrasje që ndodh sidomos kur ajo paraprihet nga një konflikt barra bie mbi shtetin.

“Fatkeqësisht nuk është rasti i parë që po ndodh me rastet qoftë ngatërresa apo konflikte të ndryshme të cilat raportohen në Policinë e Kosovës, dhe fatkeqësisht në fund rezultojnë me fatalitet, këtu shohim se ka një papërgjegjësi të strukturës komanduese të Policisë”, ka thënë avokati, Anton Nrecaj.

Përndryshe numër i madh i vrasjesh po ndodhin në Kosovë, vetëm nga fillimi i 2020 e deri në fund të prilli Policia e Kosovës raporton për 7 raste të vdekjes.

Të ngjashme
Lajme • 26 Prill 2024