Lajme
Destabilizuesi | Ndërkombëtarët të alarmuar me ndërhyrjet e Kurtit në çështje të brendshme të shteteve tjera
Demokracia
15:49 | 12 Prill 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një pamje tjetër në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, atë të një destabilizuesi.

I kurthuar vetëm në çështje të dialogut që nga dita e parë kur u bë kryeministër, Kurti nuk po arrin të bëjë asnjë hap në qeverisjen e vendit, shkruan Demokracia.com.

Ikja e qytetarëve nga Kosova, mbyllja e përditshme e bizneseve kosovare dhe kostoja e lartë e jetesës për shkak të shtrenjtimit gati të gjithçkaje të domosdoshme për zhvillimin normal të jetës – janë problemet e mëdha, të cilat, kryemnistri Kurti po tenton t’i mbulojë duke u marrë me tema të mëdha që kalojnë kufijtë e Kosovës.

Që nga viti 2021, kur në Shqiëri u organizuan zgjedhjet parlamentare e më pastaj edhe zgjedhjet në Luginë të Preshevës dhe në fund edhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Kurti i ka shfrytëzuar për të kërcyer nga njëri shtet në tjetrin, duke ikur nga problemet reale ekonomike në Kosovë.

Të vetmen temë të brendshme me të cilën kryeministri Kurti është marrë vazhdimisht, edhe përkundër këshillave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të koordinohet paraprakisht, është veriu i Kosovës. Madje, edhe me këtë çështje ka abuzuar politikisht, duke e përdorur si ‘garderobë’ nacionaliste për ta ushqyer elektoratin e tij.

Tensionet kanë qenë të vëzhdueshme në këtë pjesë, ndonëse aleatët kanë këshilluar Kurtin, qoftë edhe publikisht, që të mos ndërmarrë asnjë hap që mund t’i shërbejë destabilizimit të situatës së sigurisë, pasi këtë do ta dëshironte më së shumti Rusia.

Kjo përfshirje e Kurtit në çështje të brendshme në shtetet e rajonit, pas tensioneve që konsiderohet si i ka provokuar edhe në Kosovë, me çrast e ka futur Kosovën nën sanksione, ka alarmuar shtetet perëndimore që kanë mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës, të cilat po e shohin atë si një ndërhyrje shqetësuese që nuk i shërben aspak stabilitetit të rajonit. Irritimi më i madh i ndërkombëtarëve nga ana e Kurtit thuhet se po ndodh me përfshirjen e tij në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, ku ka polarizuar subjektet politike shqiptare dhe është duke i rritur tensionet politike atje.

Për më tepër, ndërhyrja e thellë e Kurtit duke mbështetur subjekte të cakuara politike dhe duke propozuar kandidat për president apo për deputetë, po shihet edhe më e dëmshme kur dihet botërisht se Republika e Maqedonisë së Veriut ka një politikë fqinjësore dhe ka njohur qysh në fillim krijimin e shtetit të Kosovës.

Demokracia.com mëson se faktori ndërkombëtar në Kosovë, disa nga ambasadat e shteteve të fuqishme, janë shprehur të alarmuara me ndërhyrjet e kryeministrit kosovar në zgjedhjet e shtetit fqinj, duke e parë kryeministrin Albin Kurti vetëm si një faktor destabilizues.
Në rrjetet sociale tashmë po qarkullon edhe një njoftim, ku më 19 prill 2024, Kurti se bashku me politikanët e tij të opozitës në Manqedoninë e Veriut do të marrë pjesë në një tubim elektroal të VLEN në Berlin të Gjermanisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme