Lajme
Dërgimi i disa Ligjeve në Gjykatë, Miftaraj: Kjo legjislaturë ka probleme serioze për të siguruar që ato janë miratuar në pajtim me Kushtetutën
Demokracia
14:09 | 30 Dhjetor 2023

Share:

Disa ligje të miratuara në Kuvend të Kosovës në këtë mandat qeverisës janë dërguar nga partitë opozitare si dhe Avokati i Popullit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, pas pretendimeve që të njëjtit janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo legjislaturë ka probleme serioze në kompetencë për tu siguruar që politikat dhe ligjet janë miratuar në pajtim me Kushtetutën.

Ai tha se kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës ka shënuar periudhën në të cilën më së shumti është debatuar në publik mbi rolin e Gjykatës për vendimet e nxjerra.

Ehat Miftaraj nga KDI

Sipas tij, obligimin kushtetues për referim të amendamenteve kushtetuese e ka shfrytëzuar kryetari i Kuvendit, derisa të drejtën e inicimit të rasteve në Gjykatë si palë të autorizuara sipas Kushtetutës e kanë shfrytëzuar deputetët, presidenti, qeveria, avokati i popullit, gjykatat dhe komunat.

“Kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës shënon periudhën në të cilën më së shumti është debatuar në publik mbi rolin e GjK për vendimet e nxjerra nga ajo. Opozita kritikoj vazhdimisht Qeverinë për shkelje kushtetuese gjatë miratimit të politikave dhe ligjeve.

Derisa, Qeveria ka akuzuar opozitën për pengim në zbatimin e programit të saj përmes dërgimit të ligjeve në Kushtetuese, përfshirë deklaratat politike të qeverisë ndaj vet Gjykatës, duke kontestuar në publik integritetin e gjykatës në vendimmarrje”, theksoi Miftaraj.

“Nga monitorimi i bërë nga IKD, del se kjo qeveri dhe legjislaturë ka probleme serioze në kompetencë për tu siguruar që politikat dhe ligjet janë miratuar në pajtim me Kushtetutën dhe të njëjtat të mos i kufizojnë të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka thënë ai.

Një fenomen tjetër siç vlerësoi Miftaraj është arroganca në politikbërje, duke injoruar komentet, sugjerimet dhe rekomandimet e grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“…Duke sjell në situatë ku vetëm në dy vitet e fundit numër i madh i ligjeve të shpallen kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese dhe disa opinione të Komisionit të Venecias se ligjet e propozuara cenojnë parimet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtat dhe liritë e njeriut”, ka thënë Miftaraj.

Ndryshe, Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, Ligji për Fondin Sovran, Ligji lidhur me masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Ligji për tatimin në pronë (që parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët), Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, janë disa nga ligjet që u dërguan në Kushtetuese.

Për dërgimin e këtyre ligjeve në Gjykatë Kushtetues pati reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila pati thënë se opozita e pa alternativë, vazhdon ta shfrytëzoj Gjykatën Kushtetuese për ta mbrojtur shtetin e kapur dhe për t’i mbrojtur të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.  

Të ngjashme