Lajme
Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë
Demokracia
19:17 | 16 Prill 2024

Share:

Deputeti ukrainas, Olekseiy Goncharenko, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ku po diskutohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE, mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Dua të përgëzoje Kosovën. Jam i sigurt që do të ketë vendim pozitiv dhe Kosova e meriton 100 për qind. Është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë ne. Sepse, bota e lirë duhet të bëhet bashkë. Bota e lirë duhet të jetë e bashkuar. Tiranitë e perandoritë po përpiqen të bëjnë hakmarrje. Shikojeni çka po ndodhë. Putini po përpiqet ta rindërtojë perandorinë ruse… Shikojeni çka po ndodhë në Ballkan, ku Rusia po përpiqet t’i hedhë benzinë zjarrit, të ketë luftëra të tjera. Ky hap është kundër kësaj… Kosova duhet të jetë anëtare e KiE, anëtare e BE-së. Kosova është Evropë dhe kjo është e vërtetë”, ka thënë Goncharenko.

Deputeti në fund të fjalës së tij ka pasur edhe disa fjalë për Serbinë, duke i bërë thirrje t’i shkëputë lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.

“T’i drejtohem Serbisë, shiheni vendet tjera në histori. Kemi pasur kënaqësinë të punojmë me një Serbi demokratike. Nuk ndërtohet më perandoria serbe. Nuk ka mundësi në Ballkan. Nuk ka më vend në Evropë për perandor”, ka thënë deputeti ukrainas.

Arta Bilalli-Zendeli, përfaqësuesja shqiptare e Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ka thënë se deklaratat kundër anëtarësimit të Kosovës kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës (KiE) që është parandalimi i luftërave.

Ajo i është përgjigjur disa anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të KiE të cilët thanë se anëtarësimi i Kosovës do të krijonte konflikte të reja.

“Si shqiptare e Maqedonisë, e ndiej këtë temë si shumë të rëndësishme. Nuk pajtohem me opinionet e tipit që ky anëtarësim do të krijonte konflikte të reja në Evropës. A është krijuar ky Këshill për të parandaluar luftërat në Evropë? Prandaj këto komente nuk tingëllojnë aq mirë, kundërshtojnë qëllimin kryesor të Këshillit të Evropës. Ky anëtarësim do ta nxisë edhe dialogun sepse tani kemi dy palë të barabarta në dialog. Pra, barazia është vlerë themelore e KiE”, ka thënë Bilalli-Zendeli, e cila ka vlerësuar raportin pozitiv të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Ndryshe, Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Para fillimit të seancës në Asamblenë Parlamentare të martën, Komisioni për Politikë dhe Demokraci me shumicë të madhe i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegatët e Serbisë, të cilat u mbështetën edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës.

Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave.

Zakonisht kur nuk kalojnë amendamentet në komisionin përkatës, atëherë për to më nuk debatohet dhe nuk votohet në seancë plenare të Këshillit të Evropës. Por, nëse propozuesit e tyre insistojnë që të votohet për to mund të kërkojnë një gjë të tillë nëse kanë mbështetjen e së paku 10 deputetëve të pranishëm. Prandaj, edhe pse janë refuzuar nga komisioni përkatës, përsëri ekziston mundësia që të kthehen për debat dhe për votim në Asamble.

Nga Kosova në selinë e Këshillit të Evropës ndodhet një delegacion i Kuvendit të Kosovës, ndërsa takime në nivele të ndryshme ka mbajtur edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.

Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës të martën, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.

Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme