Lajme
Deputeti Qalaj: Kurtit e Vuçiqit i duhet veriu për t’i mbuluar problemet e brendshme
Demokracia
11:40 | 20 Shtator 2023

Share:

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj në Ohër.

Por, raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara, ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Kurti, gjithashtu, ka akuzuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, për pozicionim kundër Kosovës.

Mosarritje një dakordimi ndërmjet palëve, thuhet se mund të ndikojë edhe në zhvillimet në veriun e vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj thotë që këtë po e bëjnë qëllimisht Kurti por edhe Vuçiqi, për t’i mbuluar problemet e brendshme që i kanë.

Ai tha se fokusi i Qeverisë së Kosovës është veriu dhe krijimi i tensioneve atje.

“I tërë koncentrimi është tek veriu, edhe i kryeministrit të Kosovës edhe presidentit të Serbisë i nevojitet veriu, për t’i mbuluar problemet e brendshme. Kosova është duke u përballë me një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe po ashtu është duke u përballë dhe me migrim masiv dhe me shumë gjëra të tjera negative, ndërsa fokusi i Qeverisë tonë është veriu dhe krijimi i tensioneve në veri. Njëjtë është duke vepruar dhe presidenti i Serbisë, i cili për t’i ikur sanksioneve ndaj Rusisë, dhe për t’i ikur presioneve ndërkombëtare është duke e përdorur veriun si karrem në Bruksel”, tha ai.

Pas takimit të fundit në Brukse në kuadër të dialogut, Kryeministri Kurti po e fajëson emisarin special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak për anën që po ia mbanë Serbisë.

Të njëjtin mendim e ka edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

Ai tha që ndërmjetësuesit nuk po e trajtojnë Kosovën në mënyrë të barabartë.

Qalaj kërkon që të ndryshojë kjo qasje.

“Përshtypja është që ndërmjetësuesit evropian realisht nuk janë të sinqertë në raport me Kosovën meqenëse sipas mendimit tim nuk po e trajton në mënyrë të barabartë. Kosova është inferiore në raport me Serbinë dhe mendoj që edhe qëndrimi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë sidomos këta të BE-së duhet të ndryshojë”, tha ai për Fron Online.

Zgjedhjet në veri pritet të mbahen në vjeshtë.

Pro dorëheqjes së kryetarëve atje është deputeti Rashit Qalaj.

Mirëpo, paraprakisht kërkon nga Qeveria të merret garanci nga ndërkombëtarët që serbët do të marrin pjesë.

“Ne i kishim një palë zgjedhje, i kemi kryetarët të cilët nga aspekti legal janë produkt i këtyre zgjedhjeve, nga aspekti i legjitimitetit ju e dini që është shumë i kontestuar, mirëpo ne nuk na nevojiten zgjedhjet të tjera të ngjashme e që në fakt përfundojnë në mënyrë të njëjtë. Mendimi i PDK-së është që udhëzimi administrativ është i panevojshëm, kryetarët e komunave duhet të japin dorëheqje, mirëpo duhet të japin dorëheqje atëherë kur ne kemi garancionet e forta që komuniteti serb do të jetë pjesëmarrës në zgjedhje”, u shpreh ai.

Qalaj thotë se policia e Kosovës duhet të patrullojë në veri të vendit, e jo KFOR-i e Eulex-i.

Ai thotë që politika e gabuara të Qeverisë Kurti po pengon rritjen e numrit të policëve të ne veri të Kosovës.

“Unë nuk dua as t’i shoh KFOR-in dhe Eulexin në veri vendit, për mua esenciale është që Policia e Kosovës të patrullojë në veri dhe të menaxhojë me situatën e sigurisë, edhe pse e dimë tani që si pasojë e veprimeve të pamatura të kësaj qeverie, njësia speciale e Policisë së Kosovës e ka të pamundur pa lejen e KFOR-it që të operojë në veri, mendoj që është një gabim. Mendoj që politikat e gabuara të Qeverisë Kurti kanë deeskaluar situatën atje, dhe po ashtu kanë pamundësuar që Policia e Kosovës që tash e tutje të veprojë e lirë, siç ka vepruar gjithmonë në veri”, u shpreh ai

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se nëse do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme do të zhdukej opozita.

Ai thotë që në zgjedhje Qeveria Kurit do të pësoj dështim.

Sipas Qalajt, Albin Kurti nuk do të jenë më kurrë në krye të Qeverisë.

“Ndoshta ai ka menduar opozita brenda partisë të tij, meqenëse ai s’mundet të flasë për opozitën, ne e ftojmë kryeministrin Kurtin që sot të shkojmë në zgjedhje, t’i masim dhe ta shohim se ku jemi. Unë e di që partia në pushtet do të pësoj një dështim pikërisht nga sovrani, populli, pikërisht nga ato premtime që nuk i ka përmbush, dhe pikërisht nga gënjeshtrat e mëdha të cilat kanë ndodhë në fushatën e kaluar, dhe unë mendoj që Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk do të jenë kurrë në Qeveri”, tha ai për Front Online.

Deputeti Qalaj pretendon që nëse do të mbaheshin zgjedhjet tani, partia e tij do të dilte e para.

“Absolutisht ne do të dalim partia e parë dhe normalisht lufta duhet të jetë që Partia Demokratike të jetë partia e cila e udhëheq qeverinë e ardhshme dhe vendin”, thotë ai.

Të ngjashme