Lajme
“Deputetët e LVV-së s’po lejohen të shkojnë në ShBA”, Kusari i kundërpërgjigjet Selmanajt
Demokracia
21:54 | 15 Shkurt 2023

Share:

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila i është kundërpërgjigjur kolegut të saj nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, i cili mbrëmë ka thënë se zyrtarët dhe ligjvënësit e pushtetit nuk lejohen të shkojnë në ShBA për shkak se sipas tij, ata nuk po mund të pajisen me vizë për të udhëtuar përtej oqeanit.

Këto pretendime, Kusari-Lila i ka quajtur të pasakta dhe të paqëndrueshme. Madje, ajo tregoi se tash e dy javë është pajisur me vizë amerikane për pesë vite.

“Unë personalisht si udhëheqëse e Grupit Parlamentar të LVV-së hiç më larg se para dy javë jam pajisur me vizë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pesë vite. Këto deklarata dhe pretendime që synojnë të dëmtojnë imazhin e LVV-së apo në një mënyrë ose tjetër të japin ndjesinë se kinse dikush po brengoset për raportet me ShBA sesa pozita janë të paqëndrueshme”, tha ajo në ATV.

Ajo tregoi se disa deputetë kanë marrë ftesë prej disa organizatave që të shkojnë në ShBA, gjatë muajve në vijim.

“Asnjë problem nuk është raportuar tek unë, ne kemi pasur problem të ndalim deputetët këtu sepse na janë dashur të qëndrojnë këtu për votim apo seanca. Ka deputetë që tash kanë marrë ftesë për punime të organizatave të ndryshe multilaterale në SHBA për muaj në vijim”, shtoi ajo.

Sipas një deklarate të mbrëmshme të Selmanajt, deputetët dhe zyrtarët e LVV-së nuk po munden të shkojnë në ShBA pasi shprehet s’po iu jepen viza për vizita.

“Siç duket as nuk po i lënë të shkojnë atje (në ShBA)”, kishte thënë Selmanaj.

Të ngjashme