Lajme
Demarkacioni, njëra nga kauzat e rrejshme të Kurtit që u harrua posa erdhi në pushtet
Demokracia
18:17 | 08 Shkurt 2023

Share:

Me ardhjen në pushtet të Dritan Abazoviqit në Mal të Zi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pati zotuar vjet se do të merren me çështjen e Demarkacionit, marrëveshje kjo që para se të ratifikohej subjekti politik i Kurtit hidhte edhe gaz lotsjellës për ndalimin e zbatimit në tempullin e demokracisë, Kuvendin e Kosovës. Por, që nga viti i kaluar shefi i Qeverisë së Kosovës e ka hedhur prapa krahëve këtë kauzë.

Në mars të vitit të kaluar, Kurti deklaronte se po e priste formimin e Qeverisë malazeze që të diskutohej çështja e demarkacionit, që sipas tij, ia merrte Kosovës 8200 hektarë.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje [demarkacionin] për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, deklaronte ai pas një vizite që ia bënte një shkolle në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, synimet e Kurtit për një rishikim të mundshëm të marrëveshjes së demarkimit të kufijve mes Kosovës dhe Malit të Zi morën fund nga kryeministri shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviq. Ai e cilësoi një gjë të tillë çështje të kryer.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Malin e Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, deklaroi vjet Abazoviq.

Megjithatë, ndryshe nga Abazoviqi, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes së demarkimit të kufijve mes dy shteteve.

“Marrëveshja për demarkacion ndërmjet dy vendeve tona është miratuar. Pas kësaj vazhdon pjesa teknike e punës. Komisioni i përbashkët do të dalë në terren duhet ta vizatojë në mënyrë precize këtë kufi dhe nëse në këtë çështje tregohet se është e logjikshme se disa gjëra duhet të korrigjohen dhe aty ekziston marrëveshja e dy palëve kjo nënkupton se do të bëhet në frymën e miqësisë dhe respektit të interesave të ndërsjella”, deklaroi Gjukanoviq vitin e kaluar.

Përkundër lënies së kësaj mundësie të hapur, as Kurti e as presidentja Osmani sa herë që janë takuar me përfaqësuesit e lartë politik të Malit të Zi nuk e kanë përmendur më çështjen e Demarkacionit që nga viti i kaluar.

Kurti është takuar vjet nëpër forume ekonomike e diplomatike me Abazoviqin, por as që e ka diskutuar çështjen e demarkimit të kufijve.

Dje ‘zëvendësja’ e Kurtit, Vjosa Osmani, është takuar me Abazoviqin gjatë vizitës zyrtare të saj në Malin e Zi, por kanë biseduar vetëm bashkëpunim nëpër fusha të ndryshme e as që është përmendur Marrëveshja e Demarkacionit. Edhe me Gjukonoviqin është takuar Osmani, por as nga ky takim nuk doli ndonjë deklaratë për demarkacionin.

“Në këtë takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Gazlotsjellësi që hidhte Kurti në Kuvend për kundërshtimin e marrëveshjes së Demarkacionit pasonte me dënimin e tij me kusht për përdorim të armës, gjë që ia pamundësonte kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës. Kjo për shkak se ishte i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit, që binte në kundërshtim me rregullat e KQZ-së për certifikimin e tij.

Për çështjen e gazit lotsjellës po vazhdon të gjykohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ministrja në paraqitjen e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë përgjatë rigjykimit vlerësoi se gazi lotsjellës nuk kategorizohet si armë. /Demokracia.com/

Të ngjashme