Lajme
“Deklarata e Paqes”, “Plani 4 pikësh” | Propozimet e Albin Kurtit në dialogun me Serbinë që u harruan prej tij
Demokracia
11:15 | 15 Shtator 2023

Share:

Për opozitarin Albin Kurti, të negociosh është një gjë e lehtë. Mjafton të shfaqësh idenë në mënyrën më të mundur dhe fitorja është e sigurtë. Sipas tij, Kosova po humbiste në dialogun me Serbinë, sepse përfaqësuesit e saj po shkonin të papërgatitur në takimet e Brukselit.

Por, kur Kurti u bë kryeministër dhe udhëheqja e dialogut ishte barrë mbi të, qysh në dy takimet e para ai është përballur me vrazhdësinë e negociatave, të cilat nuk janë një hapësirë e dëshirave, që mjafton të thuhen, shkruan Demokracia.com.

Më 15 qershor 2021 dhe më 19 korrik 2021, Kurti, partia e të cilit kishte fituar në muajin shkurt mbi 50% të votave, ishte përgjigjur ftesës së Brukselit për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që gjatë opozitarizmit të gjatë akuzonte për tradhti të gjithë paraardhësit e tij që pranonin të dialogonin me Serbinë pa e kushtëzuar atë me një numër çështjesh, kur u bë kryeministër nuk shfaqi as refuzimin më të vogël për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai la në harrëse kushtëzimin e dialogut dhe premtimin e madh që ua kishte dhënë shqiptarëve.

“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimesh me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdo qoftë me Serbinë përderisa ajo: (1) nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, (2) nuk e ndërron Kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, (3) nuk na kërkon falje për krimet e kryera, (4) nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, (5) nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, (6) nuk na i kthen librat kadastral dhe fondin pensional, (7) nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë dhe (😎 nuk e ndërpret financimin e strukturave paralele”, thoshte opozitari Kurti.

Ngjashëm si këto kushtëzime që nuk i përmendi kurrë më kur u bë kryeministër dhe shkoi në dialogun e thirrur nga Brukseli, Kurti ka lënë në harresë edhe disa propozime që i kishte paraqitur në tryezën e bisedimeve në dy takimet e tij të para me presidentin serb.

15 QERSHOR 2021 – PROPOZIMI 4 PIKËSH

Në takimin e parë më 15 qershor 2021, Kurti kishte paraqitur një propozim 6 pikësh, por që askush nuk i mori parasysh. Madje, shfaqja e tij para mediave, shfaqte shpresë se ato do të konsideroheshin nga Vuçiq e Selakoviq.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, deklaronte Kurti.

Në këtë propozim 4 pikësh, parashihej që (1) Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në; (2) Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty; (3) Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi; dhe (4) Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Postimi i Kurtit: 

;

19 KORRIK 2021 – DEKLARATA E PAQES

Në takimin e dytë, të korrikut 2021, kryeministri Kurti u përballë me realitetin e negociatave, të cilat nuk janë një hapësirë dëshirash. Propozimin e tij për Deklaratë të Paqes, as nuk e lexuan në këtë takim. “Deklarata” e tij u refuzuar “ende pa u lexuar”, shkruan Demokracia.com.

“Për mua, kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, deklaronte Kurti pas takimit në Bruksel me presidetin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Gjashtë nenet e Deklaratës së Paqes, të propozuar nga Kurti, janë: I. Mosagresion; II. Respektimi i kufijve të njëri-tjetrit; III. Recirpociteti në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave; IV. Zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve; V. mbështetja e ndërsjellë e procesit të integrimit evropian; dhe VI. Dispozitat përfundimtare./Demokracia.com/

Të ngjashme