Lajme
Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin ndaj 13 të akuzuarve për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave rreth 10 milionë euro
Demokracia
16:36 | 06 Korrik 2023

Share:

Në gjykimin ku për bixhoz të paligjshëm, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të rreth 10 milionë euro po akuzohen 13 persona, janë dëgjuar dëshmitari Alban Ramadani dhe Mentor Jashari.

Në këtë rast nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po i akuzon Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi, Bylbyl Hebibi, Skender Fetaj, Habil Krasniqi, Nexhat Ejupi, Armend Danqeli, Kreshnik Myrtollari dhe Dodë Ricaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Alban Ramadani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi ka sqaruar se ai nga viti 2011-2012 deri në vitin 2019 ka qenë i punësuar në “Play for Win”, në Drenas ku edhe kishte qenë përgjegjës i kësaj pike dhe se marrëdhënien e punës e kishte lidhur me të akuzuarin Astrit Krasniqin, në të cilin lokal kishin qenë 10 aparate të llojit “Apex”.

Në atë lokal tha se kanë qenë të punësuar edhe Elhami Podrimqaku dhe Arbër Ramadani dhe se të gjithë ata pagën e kishin marrë në “cash”.

Ramandai tha se nuk kishte njohuri nëse kishte pasur lokal tjeter “Play for Win” në Drenas dhe se pohoi se familja e tij kishte pasur një lokal në qendrën tregtare të Drenasit, të cilin tha se e kishte shfrytëzuar një person me emrin Fehmi Gashi.

Në pyetjen se çfarë aktiviteti ka pas në atë lokal, ai u përgjigj me “nuk e di veç më kujtohet se kur e ka marr ka than që ka loja rraketaqke”.

Më tej, ai tha se faturat e atij lokali kishin mbetur në emër të tij dhe se lidhur me gjetjen e aparateve me mbishkrim “Play for Win” në atë lokal e kishte kuptuar vetëm kur ishte marrë në intervistë në vitin 2010.

Ndërkaq, në lokalin “Play for Win”, ai tha se qarkullimin ditor e kishte dorëzuar vetë ai tek një punëtor i kompanisë, ku mesatarja e qarkullimit mujor për aq sa i kujtohej tha të ketë qenë rreth 7-8 mijë euro.

Dëshmitari Ramandani duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Astrit Krasniqi, avokatit Alban Makolli tha se ka pasur shpesh herë kontrolle nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe me sa i kujtohet nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi.

Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Mentor Jashari i cili i pyetur lidhur me procedurën e blerjes së veturës nga kompania “Play for Win”, ka thënë se ai në vitin 2018 kishte qenë i punësuar në auto-sallonin “Andi” dhe se pronari i këtij salloni e kishte blerë atë veturë.

Kurse, tha se ai kishte qenë vetëm person i autorizuar për të mbyllur çështjen e dokumentacionit, për ta marrë veturën e tipit “Audi A8”.

I pyetur lidhur me çështjen e pagesës, dëshmitari Jashari tha se në kontratën noteriale ka mbetur gabimisht si shabllon çështja e pagesës se kinse vetura është paguar “cash” e që në fakt sipas tij, transferi është dashur që të bëhet përmes bankës por që tha se ai atë pagesë nuk e ka bërë kurrë.

Ai edhe një herë konfirmoi se detyrë e tij ka qenë ta marrë veturën dhe të bëhet kontrata e që për çështjen e pagesës pronari i kishte thënë se ka qenë borxh, duke shtuar se nuk e dinte se ishte paguar më tej.

Në fund, Jashari tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në vitin 2020 në polici.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini pyeti palët nëse kanë propozime të reja për plotësimin e procedurës së provave ku mbrojtësi i të akuzuarit Skender Fetaj, avokati Visar Gorani ka paralajmëruar që do të propozojnë një ekspertizë financiare për ndriçimin e disa fakteve.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arben Krasniqi, avokati Florent Latifaj tha se do e njoftoj gjykatën me personat të cilët do t’i propozojnë si dëshmitarë, si dhe do të propozojnë një ekspertizë për dërgimin e aparateve në laboratorë ndërkombëtare.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Dodë Ricaj, avokati Argjend Sefa tha se ai propozon që të dëgjohet përfaqësuesi i palës së dëmtuar ATK për shkak se në procedurën administrative kanë ardhur rrethana të reja të cilat gjykata ka angazhuar një ekspertizë financiare e cila tha se ka konstatuar një gjendje tjetër në raport me gjendjen për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Edhe avokatët Driton Musliu, Fiton Haklaj dhe Durim Osmani thanë se do i paraqesin propozimet për dëshmitarë përmes parashtesës.

Në këto rrethana, në mungesë të dëshmitarëve Liridon Hasani, Apolon Gjota, Rafet Jashari dhe Bekim Berisha seanca e sotme është ndërprerë kurse ajo e planifikuar për nesër është anuluar.

Seancat e radhës në këtë çështje penale u caktuan më 27 dhe 28 shtator 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi po akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi po akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Shpëlarja e parave”, ndërsa, Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Armend Danqeli po akuzohet nga PSRK-ja për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, “Shmangie nga tatimi”, ndërsa për veprën penale “Shmangie nga tatimi” po akuzohet Dodë Ricaj.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për shmangie nga tatimi kanë qenë edhe Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci të cilët pasi që më 24 maj 2021 e kanë pranuar fajësinë, janë dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2500 euro gjobë.

Sipas prokurorisë, Astrit Krasniqi akuzohet se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Play 4 Ëin”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik.

Krasniqi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike të lidhura me to. Ai po akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 593 mijë e 680 euro e 40 centë. Të hyrat nga aktiviteti kriminal, sipas aktakuzës, i akuzuari Astrit Krasniqi i ka investuar në biznese dhe prona, duke kryer shpëlarje të parave në shumën prej mbi një milion euro.

Arben Krasniqi po akuzohet nga prokuroria se gjatë periudhës kohore 1 janar 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Apex Gaming Kosova”, ka ndërhyrë në 14 numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara.

Tutje ai akuzohet se duke dhënë shënime të pavërteta me të ardhurat e biznesit të tij është shmangur nga tatimi në vlerë prej 298 mijë e 547 euro e 1 cent.

Ai gjithashtu po akuzohet se ka kryer edhe shpëlarje të parave në shumën prej 75 mijë euro për biznesin e lartcekur.

Istref Veliqi po akuzohet nga PSRK-ja se nga 1 janar 2013 e deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Game Plus”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai akuzohet edhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, duke kryer shmangie tatimore në shumën prej 475 mijë e 747 euro e 79 centë. Ai akuzohet se ka kryer shpëlarje të parave në vlerë prej 698 mijë e 280 euro.

Blerim Imeri akuzohet se përmes biznesit “Matrix” SH.P.K ka ndërhyrë në një numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, e ku ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 69 mijë e 442 euro e 17 centë dhe shpëlarje të parave në vlerën prej 1 milionë e 285 mijë euro.

Skender Fetaj po akuzohet se nga 1 prill 2015 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “EGKT II”, ka ndërhyrë në numërator mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Fetaj akuzohet se ka kryer shmangie tatimore në vlerë prej 47 mijë e 51 euro dhe shpëlarje të parave në shumën 1 milionë e 610 mijë e 700 euro.

Flakron Maqani akuzohet se nga 12 maji 2015 deri më 22 mars 2019 përmes biznesit “Las Vegas 2” ka ndërhyrë në 27 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguajë lojëtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Maqani akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 1 milionë e 399 mijë e 573 euro e 93 centë dhe shpëlarje të parave në vlerë prej 541 mijë e 745 euro.

Ndërsa, Armend Danqeli po akuzohet se nga 1 janari 2013 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Euro Game”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave. Ai gjithashtu akuzohet se në emër të biznesit të lartcekur ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 57 mijë e 661 euro e 10 centë.

I akuzuari Xhavit Krasniqi akuzohet se nga 24 maj 2016 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Invest Kosova” Sh.P.K ka ndërhyrë në 19 numëratorë mekanik dhe elektronik, që të mos ua paguaj lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. I akuzuari Krasniqi ngarkohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 251 mijë e 171 euro e 61 centë dhe shpëlarje të parave në shumën prej 185 mijë euro.

Edmond Jakupi akuzohet se nga 9 gusht 2016 deri më 22 mars 2019 përmes biznesit “Cometa” Sh.P.K ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 8 mijë e 268 euro e 60 centë.

Bylbyl Hebibi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Real Sport”, ka ndërhyrë në pesë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara.

Hebibi po akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 266 mijë e 715 euro e 61 centë si dhe ka kryer shpëlarje të parave në shumën prej 98 mijë e 112 euro.

Nexhat Ejupi po akuzohet se nga 1 janari 2013 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Lumi”, ka ndërhyrë në një numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai gjithashtu akuzohet se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike dhe se ka kryer shmangie nga tatimi në shumën prej 45 mijë e 846 euro e 94 centë.

I akuzuari Habil Krasniqi po akuzohet se nga 28 marsi 2017 e deri më 21 mars 2019 përmes subjektit “Loni Sport”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara. Ai ngarkohet se ka kryer edhe shmangie tatimore në shumën prej 10 mijë e 634 euro si dhe shpëlarje të parave në shumën prej 259 mijë e 650 euro, në emër të biznesit të lartcekur.

Kreshnik Myrtollari është duke u akuzuar nga prokuroria se nga 11 janari 2018 e deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Club Gold”, ka ndërhyrë në tetë numëratorë mekanik dhe elektronik të automjeteve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga pagesat e realizuara dhe se ka kontrabanduar automate ose programe kompjuterike, si dhe ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 619 mijë e 266 euro e 90 centë.

Tahir Bërbatovci akuzohet se nga 1 janari 2014 deri më 21 mars 2019 përmes biznesit “Hotel Kosvegas” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 22 mijë e 844 euro e 73 centë.

I akuzuari Dodë Rica akuzohet se nga 2 nëntor 2017 deri më 21 mars 2019, përmes biznesit “Shqiponja Strip Club” ka kryer shmangie tatimore në shumën prej 36 mijë e 389 euro e 24 centë, përmes biznesit të lartcekur.

 

Të ngjashme