Lajme
“Dasma” e Qeverisë Kurti me të punësuar nëpër ministri, spitale e Postë
Demokracia
18:46 | 23 Mars 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, erdhi në pushtet me premtimin se do t’u ofrojë qytetarëve punësim. Por, këta të fundit, përveç që nuk gjetën vende pune, u detyruan që masivisht ta lëshojnë vendin në kërkim të një jetë më të mirë drejt perëndimit, gjë që e konfirmojnë edhe shifrat për vitin 2021. Ani pse qytetarët s’u punësuan, ndryshe ndodhi me persona të afërt me pushtetin, më konkretisht me Lëvizjen Vetëvendosje.

Për një vit qeverisje, disa prej figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe politikanë të afërt me kryeministrin Kurti, ia dolën t’i rehatojnë nëpër pozita të rëndësishme familjarët e tyre, përcjell Demokracia.com.

Më këtë u dëshmua se familjarët e politikanëve të LVV-së nuk janë vetëm për dasma, siç kishte deklaruar kreu i saj Albin Kurti, por edhe për t’u rehatuar nëpër pozita shtetërore.

“Dasma” me të ftuarit e LVV-së nuk u bë veç në ministri, pasi që dhjetëra të tillë u punësuan edhe nëpër spitale, Postë e institucione të tjera.

Glauk Konjufca, kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, është një prej personave më të afërt me Kurtin. Vetëm dy javë e dy ditë iu deshën “Qeverisë së shpresës”, që familjarit të tij t’ia sigurojnë një vend pune në një institucion shtetëror. Kështu, Rabit Konjufca, falë afërsisë së nipit të tij, Glauk Konjufcës me kryeministrin Kurti u rehatua si këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Haxhi Avdyli, deputet i LVV-së nga Lista Guxo, thuajse në secilën seancë të Kuvendit të Kosovës ka përplasje me opozitën të cilët i akuzon për keqqeverisje, përcjell Demokracia.com.

Sidoqoftë, përveç se në dasma, Avdyli një familjar të tij e “rehatoi” në institucione shtetërore. Djali i axhës së tij, Emrushi, pak pas ardhjes në pushtet të Kurtit filloi punën në Ministrinë e Shëndetësisë.

Jahja Koka, deputeti i LVV-së, mori pjesë në “dasmën” e punësimeve gjithashtu. Mbesa e tij, Fadile Dyla, më 25 maj të vitit 2021 u avancua në pozitë, duke u bërë ushtruese e detyrës së sekretares në Ministrinë e Arsimit.

Demokracia.com ekskluzivisht muaj më parë kishte raportuar se deputeti i LVV-së dhe ish-kandidat për kryetar të Suharekës, Salih Zyba e kishte punësuar bashkëshorten e tij në Byronë Kosovarë të Sigurimeve.

Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, u punësua në Departamentin e Dëmeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Salih Zybës i punësohet gruaja në Byronë Kosovare të Sigurimeve, paga mbi 1 mijë euro

Besnik Bislimi, po ashtu e rehatoi një familjar të tij. Bëhet fjalë për nipin, Gëzim Tosuni, të cilin Besnik Bislimi pretendon që “s’e ka parë që 50 vjet”.

Tosuni ishte emëruar këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Edhe Albulena Haxhiut, Ministre e Drejtësisë, iu rehatua një familjar dhe sot i gëzon privilegjet e pushtetit. Demokracia.com ka raportuar para pak muajve se kunati i saj, Shkumbin Krasniqi, brenda muajve i kishte bërë dy avancime në Postën e Kosovës, deri sa u dërgua për të punuar në Postën e Malishevës.

Në qershorin e vitit të kaluar, ai fillimisht nga pozita e Postierit u bë Zyrtar për Kujdesin ndaj Konsumatorëve (KnK). Ndërsa, në muajin tetor të vitit 2021, u bë Kontrollor.

DOKUMENT | Të mirat e pushtetit, kunati i Albulena Haxhiut avancohet sërish në Postën e Kosovës

Punësimet e fundit të anëtarëve të LVV-së nëpër pozita shtetërore, ndodhën jo më larg se javën e kaluar.

Drejtorët e Spitalit të Gjilanit dhe të Pejës kanë të dy lidhje me këtë parti. Ky i fundit është edhe anëtar më librezë.

Arsim Emini, përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, i favorizuar nga kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi, është zgjedhur drejtor i Spitalit të Gjilanit pa e pasur të kryer fare magjistraturën e as doktoraturën.

FOTO| Përkrahësi i LVV-së bëhet drejtor i spitalit në Gjilan pa magjistraturë e doktoraturë, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së për favorizimin e tij

Ndërkaq, Fazli Shala, i cili u anëtarësua në LVV gjatë vitit 2020, javën e kaluar është zgjedhur Drejtor i Spitalit të Pejës.

Numri i militantëve dhe familjarëve të punësuar që janë të lidhur me pushtetin e Kurtit është shumëfish më i madh dhe sistemi i tyre është bërë më së shumti nëpër borde të ndërmarrjeve publike. /Demokracia.com/

FOTO| Vazhdon kapja e pozitave, drejtor i spitalit të Pejës bëhet anëtari i LVV-së

 

Të ngjashme