Sport
Dalin pamjet nga biseda e tensionuar mes Ronaldos dhe Erik ten Hag gjatë miqësores me Rayo Vallecanon
Demokracia
22:40 | 01 Gusht 2022

Share:

Disa pamje të publikuara nga tifozët ku shihen Cristiano Ronaldo dhe Erik ten Hag duke bërë një bisedë që thuhet se ishte e tensionuar, kanë filluar të qarkullojnë në rrjetet sociale.

E ardhmja e sulmuesit portugez është ende e paqartë. Ai besohet se e ka kërkuar largimin nga Manchester United, teksa të dielën u paraqit në miqësoren me Rayo Vallecanon.

Ronaldo luajti vetëm pjesën e parë në këtë ndeshje, teksa pas zëvendësimit u pa duke u larguar krejtësisht nga stadiumi “Old Trafford”.

Megjithatë, një moment i ndodhur në pjesën e parë ka marrë tashmë vëmendjen e të gjithëve. Derisa po zhvillohej minuta e 33-të, të dyja skuadrat shkuan për një pushim një minutësh për t’u freskuar.

Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, u pa duke u përpjekur t’i jepte sulmuesit disa këshilla taktike. Por, duke gjykuar nga pamjet e publikuara, Ronaldo u përgjigj vetëm me lëvizje krahësh – teksa mediumi britanik “Express” shkruan se ai është parë duke rrotulluar edhe sytë gjatë ndërveprimit të tensionuar.

Kjo sjellje e 37-vjeçarit me trajnerin e ri të skuadrës vlerësohet se ka forcuar edhe më shumë dëshirën e lojtarit për t’u larguar.

Të ngjashme