Lajme
Daçiq: Koha që Kurti të përcaktohet nëse është ose jo për formimin e “Zajednicës”
Demokracia
10:29 | 15 Maj 2023

Share:

Tash është koha që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “të përcaktohet” nëse është ose jo për formimin e Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, ka thënë ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiq.

“Është koha që maskat të bien”, tha ai duke folur në televizionin kryekëput nën kontroll të qeverisë serbe, “TV Pink”.

Këto komente ai i bëri në dritë të takimit të sotëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.

“Çdo ditë jetojmë me problemin nëse Kurti do të ndez një konflikt të ri. Në vend të normalizimit të marrëdhënieve, ne eskalim të mëtejmë. Kemi arritur në një pikë kur maskat duhet të bien – nëse Kurti do ta formojë Asociacionin ose jo”, ka thënë Ivica Daçiq.

Daçiq vazhdoi t’i bjerë tezës se Asociacioni është parakusht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit nga pala serbe. Por, jo vetëm kaq, ai pretendon se edhe nëse bëhet pala serbe do të shohë “mbi çfarë baze do të jetë”.

“Nëse Kurti s’dëshiron ta themelojë atë, atëherë, aplikohet edhe ajo çfarë ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – që nuk jemi pajtuar për asgjë, dhe nëse dëshiron ta themelojë atë, atherë njëherë duhet të shihet mbi çfarë baze është bërë”, vazhdoi ai.

Shbpërbërjen e Ekipit Menaxhues përgjegjës për hartimin e draft-Statutit të Asociacionit, Daçiq e quajti “të paligjshme” derisa tha se tash “synohet” marrja e mandateve të kryetarëve të rinj në veri “gjë që serbët nuk do ta lejojnë”.

Në lidhje me takimin në nivel Kryenegociatorësh në Bruksel, Daçiq tha se “tash presim të shohim çfarë të bëjmë pastaj”.

Serbia pretendon se Asociacioni është parakusht i nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit ndërsa Kosova kërkon që Marrëveshja të zbatohet “pa kushtëzime dhe pa vonesa”. Një draft-Statut u paraqit më 2 maj në Bruksel nga Ekipi Menaxhues, gjë që u kundërshtua nga Kurti si “në themel anti-kushtetues” dhe vlerësoi se “paraqiste një dëshirë të zjarrtë për Republikë Serbe në Kosovë”. Ai paraqiti edhe një “draft-Vizion” të tij të “frymëzuar” në një model kroat.

Të ngjashme