Lajme
Daçiq: Izraeli njohu Jerusalemin tonë, do ketë pasoja
Demokracia
21:06 | 02 Shkurt 2021

Share:

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur i pakënaqur pasi Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur i zemëruar pasi Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë dhënë për Radiotelevizionin e Vojvodinës është shprehur se diplomacia serbe ka të drejtë të indinjohet me Izraelin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse, sipas tij, Kosova është Jerusalemi i Serbisë, transmeton Demokracia.com.

“Ne gjithmonë kemi thënë se Kosova është Jerusalemi ynë, e tash dikush e njeh Jerusalemin tonë për shqiptar, e kjo natyrisht se nuk mund të mos lë pasoja në raportet mes Serbisë dhe Izraelit”, tha Daçiq kur u pyet që të komentojë deklaratën e ambasadorit të Izraelit në Serbi, Yahel Vilan, i cili shfaqi shpresën se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë “raportet e mira” mes Serbisë dhe Izraelit.

Sipas Daçiqit, njohja nga Izraeli është një tregues se secili vend dhe popull në botë i sheh interesat e tij dhe siç theksoi ai, interesi i Izraelit ishte që një vend me shumicë myslimane të hapte një ambasadë në Jerusalem.

Tutje ai në këtë intervistë theksoi se Marrëveshja e Uashingtonit sipas tij, ia la Izraelit të vendosë se çfarë është më mirë për ta dhe se Serbia do të vendos qëndrimin e saj të mëtejshëm ndaj Izraelit dhe vendimin për transferimin e ambasadës nga Tel Aviv në Jerusalem në qëndrimin e Izraelit ndaj Serbisë.

Lexo edhe: 

Mediumi izraelit: Serbia e pakënaqur për njohjen e Kosovës nga Izraeli

 

“Presidenti Vuçiq menjëherë tha se qëndrimi ndaj Izraelit do të bazohet në qëndrimin e Izraelit ndaj nesh”, deklaroi Daçiq, transmeton më tutje Demokracia.com.

Sipas tij, në Kosovë njohja nga Izraeli është quajtur si një fitore e bllokadës së njohjeve, por siç theksoi ai, kjo nuk është fitore e bllokadës së njohjeve, por është ndihmë amerikane.

“Po të mos ishte Amerika, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, vuri në dukje Daçiq.

Duke folur rreth vendimit për fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila sipas Marrëveshjes së Uashingtonit është e bllokuar deri në muajin qershor të këtij viti, Daçiq theksoi si, do të vijë qershori, kështu duke lënë të nënkuptohet se Serbia përsëri do të rifillojë fushatën e saj të egër kundër pavarësisë së Kosovës.

“Nëse dikush mendon se tani vendet do të nxitojnë ta njohin Kosovën,  unë mendoj se është gabim. Në periudhën e mëparshme, 19 vende tërhoqën njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ky proces është i pandalshëm, ndoshta përkohësisht”, theksoi Daçiq, transmeton Demokracia.com.

Sipas tij, pavarësisht se Izraeli i ka njohur pavarësinë e Kosovës, shteti kosovar ende nuk e ka shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pasi siç theksoi ish-kryediplomati serb, nga 193 anëtarë, Kosova mund të marrë maksimumi përkrahjen e 93 vendeve anëtare, apo 93 vota. /Demokracia.com/

Të ngjashme