OpEd
COVID-19 duhet t’i ndryshojë konceptet e shteteve për sigurinë nacionale
Demokracia
14:23 | 18 Janar 2021

Share:

Shkruan: Bashkim Smakaj

Investimet miliardëshe në teknologjitë e avancuara ushtarake të mbrojtjes dhe në strukturat e sigurisë së shteteve dhe aleancave të ndryshme dolën të jenë të paefektshme në luftë kundër një “armiku” në përmasa afërsisht 120nm. Shumë shtete dështuan t’i mbrojnë interesat nacionale dhe ekonomitë e tyre në përballje me COVID-19. Madje, këto investime miliardëshe dolën më të papërdorshme edhe se një maskë kirurgjike njëpërdorimshme dhe një dezinfektues me bazë alkooli, që me çmimin e rregullt të tregut nuk kushtojnë më shumë se 1 euro në total.

Në të kaluarën historike të globit, pas çdo krize me përmasa të mëdha kanë pësuar edhe ndryshime në rendin global. Këto ndryshime sidomos janë reflektuar në shtetet e zhvilluara, duke iu përshtatur rrethanave që krijoheshin pas krizave të shfaqura. Pas Luftës së Parë Botërore lindi Lidhja e Kombeve. Pas Luftës së Dytë Botërore lindi OKB-ja. Lufta e ftohtë solli Paktin e Varshavës dhe atë të NATO-s. Sulmet 9/11 në SHBA sollën luftën globale kundër terrorizmit. Por, çfarë do të sjellë COVID-19 dhe cili do të jetë rendi i ri? Kjo mbetet të shihet. Megjithatë, një gjë është e sigurt: pas pandemisë çdo shtet do të reflektojë në mënyrën e vet për t’i bërë bilancet, si për pasojat e saj, ashtu edhe për rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, normalizimin e jetës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme, kush më shpejt se tjetri, për parandalimin e çfarëdo situate të tillë në të ardhmen.

Fillimisht, hapi më normal dhe më logjik i çdo shteti do të ishte rishikimi i Strategjive Nacionale të Sigurisë Kombëtare, duke reflektuar në prioritetet kombëtare të sigurisë, investimet në to dhe ndarjet buxhetore.

Hap pasues do të mund të ishte edhe rishikimi i strategjive në nivel të organizatave ndërkombëtare, sidomos në atë të NATO-s dhe BE-së. Në kuadër të kësaj të fundit, veçanërisht programet CFSP dhe CSDP.

COVID-19 na mësoi që siguria nacionale jo domosdo rrezikohet vetëm nga kërcënimet konvencionale, siç ne i kemi trajtuar deri më sot në kuadër të Strategjive Kombëtare të Sigurisë. Të paktën jo në renditjen e deritashme. Sepse, ne e pamë që një agjent biologjik është në gjendje ta vendosë gjithë ekonominë globale në kolaps dhe paralizë totale.

Pra, secili shtet duhet t’i rishikojë protokollet e veta të sigurisë dhe duhet të vendosë krahas kërcënimeve tradicionale edhe për kërcënimet epidemiologjike. Por, kësaj radhe me një qasje më serioze se kurrë më parë. Dhe, jo vetëm strategjitë nacionale të sigurisë, por ndoshta edhe rishikimin apo përshtatjen e tërë legjislacionit të nevojshëm për përballje me pandemi. Nga ajo çfarë pamë deri më tani, pandemia i detyrojë të gjitha vendet e botës, pa dallime në nivelin e zhvillimit apo sistemit qeverisës, me demokraci apo pa të, që t’i kufizojnë edhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara, qoftë me ligjet e brendshme apo edhe më konventat ndërkombëtare.

Edhe sistemet e edukimit, po ashtu, sepse nga ajo që u pa në përballje me COVID-19, shoqëritë kanë nevojë për një vetëdije kolektive me njohuri bazë për t’u përballur me kërcënimet e tilla.

Mbase zgjidhja më e mirë dhe më afatgjate do të ishte që krahas masave tjera, në programet shkollore parauniversitare dhe universitare të përfshiheshin edhe kurrikula të domosdoshme për pajisjen me njohuri të gjeneratave të reja për çdo përballje me kërcënimet nga ‘Bio Agjent’ ose ‘Soft Security Threats’, siç ndryshe njihen.

Ato që Strategjitë Nacionale të Sigurisë sot kanë të parapara janë kryesisht masa që duhen të ndërmerren nga shtetet në raste të kërcënimeve të njohura si bioterrorizëm. Pra, masa kryesisht për sulme të qëllimshme me agjentë biologjikë, ku shtetet simbolikisht përmbajnë plane për situata të epidemive, megjithëse jo në përmasa të tilla si me COVID-19, pasi që kjo u vërejt edhe nga reagimet e shteteve gjithandej globit.

Strategjitë e reja kombëtare të sigurisë duhet t’i përmbajnë në detaje masat që çdo shtet duhet t’i ndërmarrë për mbrojtje nga agjentët biologjikë të njohur si ‘Bio-defence’.

Shqetësim tjetër i jashtëzakonshëm, sidomos për strukturat e sigurisë, duhet të jetë edhe ndërmarrja e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin e çfarëdo mundësie që agjentët biologjikë të mos përdoren nga grupet terroriste, kur kihet parasysh së të gjitha këto grupe tashmë e dinë se çfarë dëmesh mund të shkaktojnë me përdorimin e një agjenti të tillë. Mundësia që grupet terroriste të kenë qasje në agjentë biologjikë është më lehtë e menaxhueshme se qasja në WMD ose armë nukleare.

Ndërsa, ajo që asnjë shtet nuk duhet të lejojë të ndodhë, pas kalimit të pandemisë së COVID-19, është të mos lëshohen menjëherë në rutinën e rregullt të jetës dhe ta lënë anash ndërmarrjen e masave të menjëhershme dhe të domosdoshme për përballje me situata të tilla në të ardhmen.

Prioritetet e çdo shteti, pavarësisht fuqisë apo madhësisë, duhet të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese për elementet bazë për përballje me këto situata dhe mbrojtjen e shtetasve të vet. Këtë e rimorëm si mësim edhe nga COVID-19, pasi që një numër shumë i madh i shteteve, siç ishin edhe Italia e Spanja dhe jo vetem, ndonëse vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, prapë u përballen me forcat dhe kapacitetet e veta me këtë pandemi.

Edhe shteti ynë duhet të përfitojë nga përvoja e menaxhimit të kësaj pandemie dhe sa më parë në kuadër të hartimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë ta trajtojë këtë kërcënim dhe ta parasheh ndërmarrjen e masave dhe planeve të nevojshme për përballje me situata të tilla.

Të ngjashme